Në Shqipëri pritet të vijnë më shumë turistë të huaj këta 12 muaj. Duke mësuar nga gabimet e së shkuarës, me udhërrëfyes eksperiencën e vendeve të suksesshme, vendi ndërkohë po ndryshon qasje në drejtim të turizmit, duke synuar më tepër para se sa numra të huajsh.
Herida Duro, Drejtore e Zhvillimit të Turizmit në MTM, shprehet për A2: “Ajo që në fakt do të vijojë të duam sërish është që të kemi një sezon ose një turizëm gjithëvjetor, i diversifikuar në ofertë. I shtrirë në territor, në kohë dhe mbi të gjitha i vlerësuar dhe i ofruar një standard e profesionalizëm të qëndrueshëm për infrastrukturën turistike.”
Të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se vitin e shkuar vendin e vizituan 11,7 milionë pushues të huaj nga 10,1 milionë të tillë në 2023-shin. Rritja përllogaritet me 1,6 milionë apo 15,8%. E njëjta pritet të ndodhë edhe këtë vit.
“Ne synojmë të jemi në krye të Barometrit të “UN Tourism”, ashtu siç kemi qenë të vlerësuar vitet e fundit për shkallën më të lartë të rritjes”, shtoi Duro për A2.
Me gjithë përpjekjet shoqëruar nga paralajmërime për gjoba të majme, as vitin e shkuar shteti nuk arriti të merrte “atë që i takonte”. Kjo për shkak të informalitetit në sektor. Lufta ndaj mosdeklarimit, veçanërisht në sektorin e akomodimit, është një tjetër shtyllë e rëndësishme në strategjinë e këtij viti të zhvillimit të turizmit: “Paralelisht po plotësohet një kuadër i gjerë rregullator i cili prek jo vetëm Ministrinë e Turizmit, por një sërë institucionesh qendrore dhe vendore. Marrim shkas nga disa ndryshime që po ndodhin në shkallën e zënies së hoteleve apo certifikimin edhe të strukturave të tjera akomoduese apo restoranteve”.
Gjatë këtyre 12 muajve, numri total i net-qëndrimeve në hotele, bujtina dhe apartamente me qira ditore pritet të arrijë në mbi 70 milionë nga më pak se 29 milionë që ka qenë mesatarisht vitet e fundit./e.t