Pas nisjes së zbatimit të marrëveshje së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, skena të gëzueshme u regjistruan mes civilëve, të cilët tashmë do të mund të ktheheshin në qytetet e tyre.
Qytetarët dilnin të gëzuar nga strehimoret duke dalë në sheshe për të festuar fundin e gjakderdhjes që ka vazhduar për më shumë se 15 muaj.
Familjet e zhvendosura nga zonat lindore të Gazës dhe nga zona si Rafah filluan të kthehen në shtëpitë e tyre për të kontrolluar se çfarë ka mbetur prej tyre.
“Më duket sikur më në fund gjeta pak ujë për të pirë pasi u humba në shkretëtirë për 15 muaj. Ndihem sërish e gjallë. Tani jemi duke pritur ditën kur do të kthehemi në shtëpinë tonë në qytetin e Gazës. I dëmtuar apo jo, nuk ka rëndësi, makthi i vdekjes dhe urisë ka marrë fund”, tha Aya, një grua e zhvendosur nga qyteti verior i Gazës, e cila u strehua në Deir el-Balah qendrore për më shumë se një vit.
Por shkatërrimi ishte e vetmja gjë që dukej në çdo cep.
Të shumta janë ato familje të cilët kanë deklaruar se pavarësisht ndjenjës së skepticizmit se armëpushimi mund të jetë i brishtë dhe nën frikën e nisjes së sulmeve, do të rindërtojnë shtëpitë e tyre tashmë të rrënuara.
Mahmoud Anëar Abu-Salem, një palestinez i zhvendosur nga Gaza veriore, ka folur me Al Jazeera pas kthimit në zonën e tij, pasi kishte kaluar tre muaj në kampin e refugjatëve Shati të qytetit të Gazës.
“Shtëpia, gjithçka u rrënua. Pesëdhjetë njerëz nga familja ime do të jetojnë në rrugë. Para luftës, ndërtesa pesëkatëshe strehonte shumë nga të afërmit e mi. Janë shkatërruar edhe shkollat. Nuk ka fare jetë. Edhe xhamia u godit dhe u shkatërrua. Është madje e vështirë të vendosësh një tendë këtu”, tha ai./e.t