Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duhet të paraqitet dy herë në muaj para SPAK sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit. E kësisoj, e hëna (20 Janar) është data e radhës e përcaktuar që ai të firmosë paraqitjen e tij.
Por duket se demokratët do të veprojnë njësoj si me paraqitjen e parë të Berishës. Ata pritet të protestojnë përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
“Në ora 9:30 përsëri të gjithë në protestë përpara SKAP- it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë”, thuhet në mesazhin dërguar mbështetësve të PD.
Kujtojmë se në paraqitjen e parë te OPGJ-ja, Berisha la edhe një shënim në fletën e detyrimit të paraqitjes.
“Ky është një akt i turpshëm politik me të cilin prokuroria në kundërshtim me Kushtetutën kërkon të më ndalohet fjala e lirë, dhe një gjykatës kukull i Partisë vendosi sipas kërkesës së tyre. Unë kam denoncuar dhe do denoncoj bashkëpunimin e Dumanit e kompani me krimin si një organizatë kriminale”, shkroi ai./kb