Teksa diaspora shqiptare përgatitet për të votuar për herë të parë në një proces zgjedhor në atdhe, pa nevojën për t’u rikthyer në vend fizikisht, interesi i shfaqur ka qenë i konsiderueshëm. Mbi 65 mijë kërkesa janë regjistruar deri ditën e sotme, me rreth 41 mijë që janë miratuar zyrtarisht nga KQZ.
Edhe pse interesi më i madh është shfaqur nga vendet ku diaspora shqiptare është më e pranishme si Italia, Greqia apo Shtetet e Bashkuara, nuk kanë munguar as kërkesat nga shqiptarët në kontinente të tjera. Kështu, vendet e para në renditjen zyrtare të KQZ plotësohen nga shqiptarët në shtetet e Bashkimit Evropian, Britania e Madhe, SHBA. dhe Kanadaja. Interesi nuk ka munguar nga Australia e largët, nga ku deri tani janë marrë 90 kërkesa për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Një tjetër vend që bie në sy për aplikimet e regjistruara është ishulli i Anguilas në Karaibe, nga ku janë marrë 49 kërkesa në KQZ. Po në Karaibe janë marrë 38 kërkesa nga shqiptarët në Ishujt e Virgjër Britanikë. 46 kërkesa të tjera për të votuar janë regjistruar nga ishulli i Shën Helenës, i cili ndodhet në mes të pjesës jugore të oqeanit Atlantik, midis Brazilit dhe Afrikës Perëndimore.
Nga ana tjetër, interesimi ka qenë prezent edhe në Rusi e Ukrainë, pavarësisht se dy vendet e Evropës Lindore janë pjesë e një konflikti të armatosur thuajse 3-vjeçar. Kështu, nga Federata Ruse janë regjistruar 5 kërkesa, ndërsa nga Ukraina vetëm një. Dhjetëra kërkesa janë regjistruar në Lindjen e Mesme, ku konkretisht llogariten 36 aplikime nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nga 10 nga Katari dhe Kuvajti, 8 nga Arabia Saudite dhe nga Izraeli, 3 nga Egjipti dhe Afganistani dhe 1 nga Bahreini.
Edhe pse të pakta aplikimet nuk kanë munguar as nga Afrika apo Azia e largët. Deri më tani janë marrë 10 aplikime nga Kina, 8 nga Japonia, 7 nga Zelanda e Re dhe 2 nga Koreja e Jugut mes të tjerash. Sa i përket kontinentit afrikan aplikime janë marrë nga Algjeria, Afrika e Jugut, Angola, Zambia, Kongo e Gaboni.
Një tjetër kontinent ku interesi i shfaqur, edhe pse në nivele thuajse të papërfillshme, ka qenë ekzistent është Amerika Latine. Shqiptarët që kanë aplikuar për të votuar ndodhen në shtete si Kolumbia, Argjentina, Brazili dhe Kili. Vende të tjera që mund të përmenden, nga ku shqiptarët kanë shfaqur interes zgjedhor janë India, Kazakistani, Taxhikistani, Tajlanda, Bangladeshi, Mongolia, Vietnami, Filipinet apo Madagaskari. Aplikimet për votuesit nga diaspora do të jenë të hapura deri më datën 4 mars 2025, dhe secili që refuzohet, deri në këtë datë, ka të drejtë ta provojë përsëri./ S,M