Njësia evropiane për mbushjen e pijeve të kompanisë Coca-Cola tha të hënën se ka urdhëruar një tërheqje masive të pijeve Coke, Sprite dhe të tjera, pasi ka vërejtur nivele të larta të kloratit të cilat mund të paraqesin rreziqe shëndetësore.
Coca-Cola tha se kanoçet dhe shishet e qelqit që kishin nivele të larta të kësaj substance ishin shpërndarë në Belgjikë, Holandë, Britani, Gjermani, Francë dhe Luksemburg që nga nëntori i vitit të kaluar, deklaruan për AFP-në nga kompania Coca-Cola Europacific Partners në Belgjikë.
“Nuk kemi një shifër të saktë, por është e qartë se është një sasi e konsiderueshme”, tha kompania lidhur me sasinë e pijeve me nivele të larta të substancës kimike.
Lidhur me çështjen e pijeve të kompanisë Coca-Cola, që shiten edhe në Kosovë, Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Klorati mund të gjendet në ushqime, pasi buron nga dezinfektuesit me klor që përdoren gjerësisht për trajtimin e ujit dhe përpunimin e ushqimit.
Në një opinion shkencor të publikuar më 2015, Autoriteti Evropian për Siguri të Ushqimit tha se ekspozimi afatgjatë ndaj kloratit përbën shqetësim të mundshëm shëndetësor për fëmijët, veçmas te ata që kanë mungesë të vogël apo të mesme të jodit./kb