Lamtumira për Kryepeshkopin/ Rama: Çfarë greku në kombësi e shqiptari në shtetësi!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

*Fjala e përmotshme e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë mortore për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Në emër të gjitha kishave të botës foli, foli Kryetari i Komisionit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave, institucion që Kryepeshkopi Anastas e kishte drejtuar, episkopi, Heinrich Bedform-Strohm.

“Fort të lumë janë qysh njitash, ata që flenë në Zotin. Po, thotë Shpirti i Shenjtë, le të pushojnë nga travajet e shumta, sepse veprat e tyre flasin për ta” (Apokalipsi/Zbulesa, XIV, 13).

Tërë shenjtëria Juaj, Patriarku ekumenik Bartolomé,

Fort të nderuar anëtarë dhe hierarkë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë,

Fort i nderuar Mitropolit Joani, Mbikëqyrës i Mitropolisë së Shenjtë të Tiranës dhe Durrësit,

I nderuari kryeministër i Republikës së Greqisë dhe mik i mirëseardhur Kyriakos Mitsotakis,

Komuniteti ortodoks është sot në zi. Kisha ortodokse autoqefale e Shqipërisë është sot, e vé. Kryepeshkopi Anastas e përfundoi detyrën e tij vikare, si pasrendës i apostujve, në shërbim të shpresëtarëve ortodoksë të Shqipërisë. Jeta e tij, fort e gjatë, por mbi të gjitha fort kuptimplotë, qe një jetë për mbarë Kishën katolike dhe apostolike, në kuptimin patristik të fjalës, në atë kuptim plenar që merr në “Besojmën” e madhe të Koncilit të Nikesë, mbajtur 1700 vjet më parë nën kujdesin e Kostandinit të Madh.

Plot 33 vite ungjillëzim në viset e Shqipërisë, nga viti tanimë i largët 1992 e deri më sot, janë një shifër domethënëse dhe jo vetëm simbolikisht e përputhur me moshën e Jezu Krishtit. Nga këto 33 vite, tri shërbyen për të predikuar ngjalljen e trupit mistik të ortodoksisë shqiptare, e plot tridhjetë të tjera për të punuar si zdrukthëtar këmbëngulës në ringritjen e ngrehinës së shkrumbuar të Kishës Autoqefale Shqiptare.

Si nga një pikëpamje thjesht njerëzore, si nga një pikëpamje thellësisht shpirtërore, jeta e Anastas Janullatosit, ishte një jetë tërësisht e përmbushur përderisa përmes saj u realizua me gjithsej ëndrra e një fëmije.

“Kur isha fëmijë – kujtonte Kryepiskopi i ndierë – nuk më mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, duhej t’i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qënia ime të jetonte në Krishtin”.

Si hierark i një bashkësie shoqërore historike, me ndikim të madh në mozaikun kombëtar shqiptar, personi i Kryepiskopit të ndjerë dhe vepra e tij në krye të Kishës e të grigjës, janë qëmtuar, admiruar, bekuar, qortuar e deri edhe anatemuar. Pasionet më kontradiktore (kanë mbizotëruar) janë shfaqur në mexhelisin tonë kur ka ardhur puna tek veprimtaria publike dhe qytetare e njeriut, i cili deshi apo s’deshi, mori mbi supe edhe zjarret e konflikteve fëminore të fqinjësisë sonë, të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e kishës. Edhe kjo më së paku dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më rrallë në një kohë dhe në një mjedis ku gjithnjë e më të shumtë janë ata që lëkunden nga fryn era dhe ku gjithnjë e më pak mundësi i lihet “Shpirtit të Shenjtë të fryjë nga të dojë” (Gjn. III, 8).

Por, përtej atyre zjarreve të ndezur si rrufe në qiell të pastër andej a këtej kufirit të rihapur pas gjysëm shekulli heshtjeje mortore, e të shuar pastaj si një hall i përbashkët, askush dhe asnjëherë, nuk e ka vënë dot në dyshim autenticitetin e angazhimit baritor të Kryepiskopit për grigjën që e gjeti të vrarë, të plagosur e të shpërndarë, 33 vite më parë, dhe që e bashkoi me përkushtim e durim të madh, në një vathë që të kujton shtëpinë e përtërirë nga arratia e demonëve, për të cilën flet Jezusi në Ungjillin sipas Mateut (XII, 43-45).

Nuk kam për qëllim të bëj këtu as nekrologjinë dhe as eulogjinë e këtij prelati, të cilin, për hirin e pamohueshëm të së vërtetës, gjithë ç’mban rruzulli në njerëz të qytetëruar të fesë, në intelektualë të angazhuar për paqen, në artizanë të dialogut mes kulteve dhe kulturave, e deri tek çdo kryetarë shteti e qeverie që e njohu, ia patën fort zili Kishës ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Me siguri këtë opinion e bashkëndan tërësisht me mua edhe miku im Kyriakos Micotaqis, i cili nderon sot me praninë e tij dhe të delegacionit të nderuar që e shoqëron, figurën epokale të kryepiskopit, Kishën Autoqefale të Shqipërisë dhe shtetin ku ajo lulëzon, duke dhënë njëkohësisht mesazhin kuptimplotë të pandashmërisë në jetë e në zi mes dy vendeve tona.

Kam pasur privilegjin të jem i pranishëm këtu, në këtë katedrale që Kryepiskopi ia kushtoi Ngjalljes së Krishtit, ngjalljes së trupit të tij mistik në Shqipëri, kur u bë inaugurimi dhe shugurimi i saj. Ishte dita e shpërblimit të mundit të tij të gjatë për ndërtimin e saj, e cila u kremtua me pjesëmarrjen e patriarkëve dhe mitropolitëve të të gjithë kishave ortodokse të botës. Të tillë prestigj dhe peshë, as ortodoksia shqiptare, po as vetë Shqipëria nuk e kishin ndjerë dhe mishëruar ndonjëherë në rrafshin fetar. Ishte një nderim solemn që mbarë bota ortodokse i bënte Shqipërisë dhe kishës së saj autoqefale, çka ishte e pamundur të imagjinohej pa praninë, rolin dhe personalitetin e respektuar botërisht të kryepiskopit tonë.

Sot më takon të kujtoj në nderim të tij, diçka që shumë e kanë parë apo e kanë ndjerë, e shumë të tjerë s’e kanë kuptuar apo s’kanë dashur ta besojnë, por që në fund të fundit ai vetë e dëshmoi në 33 vjet dhe e dëshmon edhe sot, me trupin që la këtu, në tokën e Shqipërisë.

Në përmasën e vetme që i interesonte, atë të fesë, Anastasi erdhi mes nesh si një prift nga Greqia dhe u nda nga ne, si Anastasi i Shqipërisë.

Duhet pranuar se është vështirë të gjendet dikush i çfarëdo kombësie tjetër të ketë qenë, në kujtesën tonë historike, që të jetë identifikuar me aq krenari dhe me aq përkushtim, me emrin e Shqipërisë, sa kryepiskopi Anastas. E di që ka plot nga ne që nuk pajtohen me këtë që thashë, por le të kundrojnë me reflektim të paqtë dhe natyrisht, të çlirët nga paragjykimet a dyshimet fqinjësore, vetëm disa nga veprat e tij, ku ashtu siç njihet pema e mirë nga frytet e saj, lexohet edhe identifikimi i tij me Shqipërinë tonë.

Lexo edhe :  Rama nga Shërbimi i Neurokirurgjisë: Investimet e reja ofrojnë një shërbim më cilësor

Sot dëgjohet në diptikët e shenjtë, në të gjitha gjuhët liturgjike të ikumené-së ortodokse, emri i Kryepiskopit të Shqipërisë, menjëherë pas selive patriarkale dhe dy kishave më të vjetra autoqefale, asaj të Qipros dhe asaj të Greqisë. Kur e dëgjon këtë përnderim liturgjik, është e pamundur të mos i jesh mirënjohës njeriut që përcjellim sot, po të kesh parasysh se pas shkrirjes në flakën 23 vjeçare të ferrit ateist, Kisha ortodokse autoqefale e Shqipërisë ishte veç hija e një kujtimi.

Ekzistenca e kësaj Kishe, me frymën që i dha bariu i saj, Anastasi i Shqipërisë, për 33 vite, është mirëfilli sot një aset konstitutiv i vetë pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Shqipërisë – një “Kishë e lirë, në një Shtet të lirë”.

Sa prekëse në koherencën stoike të jetës së tij baritore dhe gjithaq shpartalluese për të gjithë paragjykuesit e dyshuesit e tij,  tingëllon sot në prani të trupit pa jetë të rilindësit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, pohimi i tij botërisht i përpara pak kohëve në një intervistë të dhënë për shtypin grek, e cila tingëllon më shqip se sa shqipja e kujtdo që e ka paragjykuar e dyshuar si grek Kryepiskopin e ortodoksëve shqiptarë:

“Pasuesi im do të jetë shqiptar. Unë kam që në vitin 1963 që udhëtoj nëpër botë. Kam mësuar ta respektoj tjetrin siç është, të mendoj për të drejtat e tij. Imagjinoni të kishim në Greqi njësituatë të ngjashme: a do ta pranonim të drejtonte Kishën e Greqisë një bullgar apo një serb? Sigurisht që jo! E konsideroj të mirëqenë që pasuesi im të jetë shqiptar. Në nuk shkuam nëShqipëri për të bërë një koloni, ne shkuam për të bërë një kishë autoqefale të Shqipërisë. Ajo nuk është pjesë e Kishës së Greqisë, ajo është një ndër 14 kishat ortodokse autoqefale të botës”.

Çfarë njeriu, çfarë bariu, çfarë pajtori e paqëtori, çfarë greku në kombësi e shqiptari në shtetësi!

Dinjitetin e martirizuar te kësaj kishe dhe të kreut të saj, larë me djersën dhe gjakun e stërmundimeve të Kristofor Kisit e Damian Kokoneshit, Irene Banushit e sa e sa të tjerëve, Kryepiskopi Anastas e rivendosi të plotë në altarin e saj, duke i dhënë mundësinë Kishës autoqefale të Shqipërisë, klerit dhe besnikëve të saj, ta marrin stafetën nga ky atlet fitimtar i Krishtit e ta çojnë përpara, në liri të plotë, pavarësi të pakthyeshme dhe siguri të garantuar.

Mjafton ta dëshirosh dhe ke plot ç’të mësosh prej trashëgimisë së këtij njeriu, që refuzoi me urtësi të rrallë qindra, mbase mijëra ftesa për armiqësi, duel e polemikë, që i erdhën pa kursim nga të katër anët, deri ditën e fundit të jetës. Ai, që duke mos qenë vendas mund të ishte edhe më i legjitimuar të vinte kujën për diskriminim dhe për keqtrajtim, parapëlqeu të ndiqte udhërrëfyesin e Apostullit Pavël:

“Megjithëse jam i lirë kundruall të gjithëve, u bëra shërbëtor i të gjithëve, që të tërhiqja pas fjalës së Zotit sa më shumë njerëz” (Letra 1 Korintasve IX, 19).

I lëçitur si pak të tjerë dhe i hapur ndaj kulturës së madhe, Kryepiskopi që me mua kishte qejf t’i ndante për kuturisje në xhevahiret e Biblës e të letrave laike momentet e mbetura pasi më qante hallet e kishës, me siguri nuk do të më mbante mëri, po do të vinte buzën në gaz pse dua t’ia jap lamtumirën me disa rreshta nga De Profundis i Oscar Wilde, sipas përkthimit mjeshtëror të Mihal Nas Hanxharit:

“Pjesa më e madhe e njerëzve jetojnë për t’u dashur dhe adhuruar nga të tjerët. Po ne duhet të jetonim për të dashur dhe adhuruar të tjerët; nëse dikush na jep dashuri, duhet ta pranojmë vetë se jemi të padenjë për t’u dashur. Askush s’është i denjë për t’u dashur. Vetë fakti që Perëndia e do njeriun, na tregon se në rendin hyjnor të gjërave dashuria e përjetshme i jepet pikërisht atyre që janë përjetësisht të padenjë për të; nëse kjo duket fort e hidhur, le ta kthejmë së prapthi e le të themi se të gjithë njerëzit janë të denjë për t’u dashur me përjashtim të atyre që e meritojnë vërtetë”.

Fort të dashur besimtarë ortodoksë të mbledhur nga të katër anët e vendit dhe nga më larg,

Sot, komuniteti ortodoks, jo vetëm në Shqipëri, por kudo gjetkë, ka zi. Sot, Kisha ortodokse autoqefale e Shqipërisë, është në zi. Por le ta themi sërish me Shën Palin: “Gëzohuni gjithnjë në Zotin! Jua përsëris, gëzohuni!” (Letra Filipianëve, IV, 4). Humbët në këtë jetë Kryepiskopin, që përmes fjetjes në Zotin, “ndërroi jetë” – shprehje që ai e konsideronte ndër më të bukurat e shqipes – por fituat Anastasin e Shqipërisë. Fituat një avokat atje lart, pranë Zotit, që liturgjia e Shën Joan Gojartit e quan aq bukur “Mik të njeriut”. Fituat shembullin  e një shërbestari të pajtimit në tokë, që tashmë ju takon të gjithëve ta ndiqni.

Paqja qoftë me shpirtin e Anastasit të Shqipërisë në amshim dhe përdëllimi i kësaj dite sjelltë në zemrat e gjithsecilit ngushëllimin e Zotit të Jetës./kb

 

Të fundit

Plagosja e të riut/ Sherri nisi brenda lokalit, shkak dyshohet një vajzë

TIRANË- Mbrëmjen e kësaj të enjteje një qytetar është goditur me thikë. Sipas burimeve pranë komisariatit numër 3, ngjarja ka...

Plagoset me armë zjarri një 15-vjeçar në Tiranë, transportohet drejt Traumës

Tiranë/Informacion paraprak Më datë 30.01.2025, rreth orës 20:30, është paraqitur në spitalin e Traumës një i mitur 15 vjeç, i cili dyshohet se është dëmtuar me...

Arben Ahmetaj dhe puset e zeza: Një intervistë për të larë duart e pista

  Baton Haxhiu Fenomeni i përplasjes publike, që sot po shfaqet aq hapur me intervista të gjata dhe akuza të njëpasnjëshme, nuk është i ri. Ai nisi...

I dërguari special i Trump: Mund te duhen deri në 15 vite për rindërtimin e Gazës

Mund të duhen 10 dëri nw 15 vjet për të rindërtuar Rripin e Gazës , pasi nuk ka mbetur pothuajse asgjë, tha i dërguari...

Vlorë, bashkia “fal” tokat për pallate

Në këshillin Bashkiak të Vlorës ka dështuar tentativa e tretë që dy firma private të përfitonin tokë shtetërore nëpërmjet bashkisë. Demokratët kundërshtuan duke akuzuar bashkinë...

Lajme të tjera

Web TV