TIRANE- Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e katër të pandehurve të inceneratorit të Tiranës Silena Tola, Etleva Kondi, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi për tu gjykuar me procedurën e zakonshme si dhe për ndarjen e çështjes nga pjesa tjetër.
Gjyqtarja Elsa Ulliri gjithashtu pranoi kërkesën e 8 të pandehurve të tjerë për gjykim të shkurtuar. Konkretisht të ish ministrit të mjedisit Lefter Koka, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku dhe Jetmir Llapaj.
Në seancën e ardhshme, pritet që prokurori Dritan Prencci të japë konkluzionet për 8 të pandehurit, ndërkohë që për katër të tjerët do vijojë gjykimi.
Dosja e inceneratorit të Tiranës kaloi për gjykim në datë 13 dhjetor të vitit 2024. Në datë 2 gusht, Prokuroria e Posaccme njoftoi zyrtarisht mbylljen e hetimeve për 12 personat e akuzuar, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre”.
Për inceneratorin e Tiranës, ish deputeti socialist Alqi Bllako njëherësh sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit është ndarë më vete. Kjo për shkak se, Bllako akuzohet për një tjetër vepër penale, atë të korrupsionit.
Çështja ndaj tij është në fazën e dhënies së konkluzioneve nga ana e prokurorisë./k.k