Një i burgosur është arratisur nga burgu i Shën Kollit në Lezhë, pasi ishte dërguar për kurim në spitalin e burgut.
Më datë 4 shkurt 2025, në orët e para të mëngjesit, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në IEVP Lezhë, është konstatuar mungesa e pacientit Daut Hysen Laze, i lindur më 30 gusht 1976 në Çorovodë dhe banues në Tiranë. Ai ishte arrestuar më 16 nëntor 2021.
“Me vendimin nr. 528, akti datë 4 nëntor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte vendosur ndaj tij masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, sipas nenit 46 të Kodit Penal. Pas kontrollit të menjëhershëm nga stafi i policisë në institucion, është vërejtur se ky shtetas me mjekim të detyruar ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor për tu larguar nga rrethimi i institucionit”, njoftuan autoritetet.
Aktualisht, po analizohen pamjet e kamerave për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.
Për ngjarjen është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe po punohet intesivisht në bashkëpunim me strukturat e policisë për kapjen e tij. /e.t