Në një konferencë për gazetarët, Sali Berisha ka deklaratuar se nëse fiton zgjedhjet do të shkrijë SPAK-un, të cilin e cilësoi sërish organizatë kriminale.
Berisha tha se Altin Dumani i ka blerë apartamentet me para ryshfetesh. Sipas tij Dumani është me 4 shtëpi dhe jeton me qira.
Pyetje: Nëse ju fitoni zgjedhjet çfarë ndodh me SPAK-un?
Berisha: E kam deklaruar. Do ndërmarrim veprime me Komisionin e Venecias, Do i rikthejmë drejtësisë pavarësinë dhe do çmontojmë organizatën kriminale SKAP i partisë. Ju e patë me dokumente se çfarë deklaratash kishte mercenari i SKAP për apartamentet e tij.
Po ashtu Berisha e cilësoi reformën në drejtësi si një nga aferat më të mëdha korruptive në Shqipëri, duke pretenduar se ajo është përdorur për të eliminuar opozitën dhe për të konsoliduar pushtetin e Edi Ramës.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ato që kam thënë unë për drejtësinë e re, në një mënyrë ose një tjetër, i përsëriti vetë një nga drejtuesit më kryesorë sot të administratës së SHBA, Elon Musk.
Ai e shpalli USAID-in një organizatë kriminale.
Ndër të tjera rreshtohet reforma sorosiane e drejtësisë në Shqipëri dhe jo njëherë, por janë disa publikime tani.
Por edhe po të mos ishin, ju jeni dëshmitarë se njeriu i parë që ka denoncuar 10 milionë dollarë dhënë Delina Ficos për ndihmesat juridikë privatë, është Sali Berisha para të gjithë të tjerëve.
Fatmirësisht tani qeveria e SHBA po mban qëndrim ndaj këtyre akteve superkorruptive.
E kam cilësuar atë ditë, sa kanë firmosur marrëveshjen Llagami-Yuri Kim. Çfarë do ambasadorja në atë marrëveshje? Çfarë do ajo aty? Ndan paratë. I ndan me Llagamin dhe Delinën.
Pra, unë e përshëndes vendimin e pezullimit dhe u bëj thirrje ta analizojnë se është krijuar një drejtësi politike, e cila u angazhua në misionin e një Shqipërie pa opozitë të Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës.
Kjo është e vërtetë.
Komisioni Europian, e lexova unë atë. Do bëjmë prapë punë. Do sqarojmë çdo gjë. Mos harro se është një nga aferat më të mëdha korruptive.
Nuk them se deklarata është korruptive, se ajo bëhet se duhet të ketë drejtësi, por afera në reformën e drejtësisë është një nga aferat më të mëdha.
Dhe do faktohet ajo, ne kemi durim.
Ne jemi parti e shtetit ligjor, e ligjit.
Por dje bashkëbiseduesve të mi teksa u shpjegoja, në mënyrë periodike shpreheshin se këto janë të tmerrshme. Janë jashtë imagjinatës.
A funksionon? Në qoftë se ne nuk kemi arritur akoma të zbardhim dhe të bëjmë transparencën e plotë, ne do ia arrijmë, iu garantoj unë.
Kësaj i thonë rikthim i opozitës./ S,M