Nga Ben Andoni
Politika shqiptare, në këto orë të fundit kur po nis heshtja zgjedhore në Kosovë, nuk është vetëm konfuze për zhvillimet atje, por ç’është më e keqja edhe indiferente. Kryeministri Rama është shprehur shkurt për “El Mundo se: s’ka asnjë preferencë politike dhe se të gjithë i respekton dhe se i ka miq. Ndërkohë që opozita është edhe më indiferente dhe më shumë e përfshirë në shqetësimet e saj për listat e mbyllura dhe zgjedhjet e Majit.
…
Ideologjikisht, Partia Socialiste e Shqipërisë duhej të shkonte mirë me “Vetëvendosjen” në Kosovë dhe të ishin të orientuara sëbashku drejt strukturimeve shtetërore, të cilat ua ndihmonte jo thjesht sensi i të Majtës, por edhe përkatësia e përbashkët në Internacionalen Socialiste. Në vitet e fundit, qeveritë e dy vendeve, ngritur prej partive respektive, as nuk arrijnë të takohen zyrtarisht.
Krejt ndryshe ndodh me PD-në, përfaqësuesit e të cilës mbrojnë apriori çdo qëndrim të Kurtit. Mbase mund të kishte qasje Partia e Lirisë, por kjo e fundit është shmangur nga ideologjia dhe kur flet me njerëzit e saj janë po kaq të papërcaktuar për ideologjinë edhe sepse po rrudhen nga ditë në ditë. Madje, e kanë “frikë” edhe identifikimin me të Majtën.
Mbi të gjitha, u duhet të mbajnë këtë amalgamë qëndrimi përpara zgjedhjeve sepse u intereson përfaqësimi në parlament, ku mbijetesa e tyre varet nga vendimi i Berishës për t’i futur apo jo në Listat e Sigurta. PDK-ja në Kosovë është po kaq e paqartë, ndërkohë që në vitet e fundit identifikohet me të Djathtën.
Dikur PDK-ja konsiderohej parti e Qendrës së Majtë, apo thjesht e Majtë. Partia Demokratike e Shqipërisë duhej të shkonte mirë, fillimisht me LDK-në dhe PDK-në. Kur mendon se partitë e Qendrës së Djathtë evropiane i asistojnë si PD-së në Shqipërisë dhe LDK-së, atëherë e kupton se lidhja duhej të ishte e shëndoshë dhe e fortë, por edhe konstante. Edhe pse në Tiranë, PD-ja u mundua ta kujtonte Rugovën, ata që njohin historinë e dinë sesi shkonte ky formacion me Rugovën.
PS-ja e shtrëngoi fort simbolikën e Rugovës dhe në takimet e Kosovës mundohet ta evidentojë sa më shumë. Mbase kjo shpjegon që tek LDK-ja shkojnë shumë më mirë me Ramën, sesa me Berishën. Partia Demokratike e Kosovë, gjithashtu, me atë bërthamë që ka duhet të shkonte logjikisht shumë të mirë me PD-në në Tiranë.
Por paradoksalisht, qëndrimi i PD-së në Tiranë ndaj heronjve të PDK-së, që janë në Hagë është gati nul. Autori i këtyre rreshtave ka apeluar vazhdimisht, që pse nuk prononcohen për ta apo pse nuk i kanë vizituar ndonjëherë në Hagë, por ngritjet e supeve zëvendësojnë qëndrimin e tyre real. PDK-ja ka gjuhë të mirë me PS-në në Tiranë.
AAK-ja është prononcuar si e Djathtë dhe nuk është se ka ndonjë qëndrim ndaj partive në Shqipëri, por mban fort idilin e UÇK-së që tashmë u mundua “t’ia merrte” Vetëvendosja me qasjen dhe me cinizmin, si në rastin e ministres së Jashtme Gërvalla. Sa i përket partive të vogla në Shqipëri, duket se përballja e tyre me politikën e jashtme pothuaj nuk identifikohet fare, ndaj “nuk i vihet faj” që nuk kanë qasje për Kosovën as nuk kemi fare qëndrime, të cilat të jenë publike ose të tregojnë vizionet e tyre.
Kemi përfaqësues të tyre që mëtojnë se do marrin shumë mandate në parlamentin shqiptar, por nuk kemi parë ose dëgjuar qëndrime të strukturuara për Kosovën. E para se duken se nuk e njohin ashtu si duhet dhe e dyta se “nuk duan të humbin kohë” me një çështje që nuk u jep vota.
Njohësit e filozofisë politike mund të thonë se sot mungon krejtësisht ideologjia, por po ta shikosh në thelb në rastin e Shqipërisë, problemi nuk shtrohet në atë që lidhet me ideologjinë, por me indiferencën për zhvillimet atje.
Paradoksi është se Berisha dhe Kurti, ideologjikisht janë krejt të kundërt, por e kanë gjuhën e komunikimit më të mirë sesa kreu i Vetëvendosjes me Ramën; ashtu si kryeministri shqiptar ka marrëdhënie shumë më të mirë me opozitën e Djathtë të Kosovës, sesa me Albin Kurtin që në zgjedhjet e fundit u përfshi direkt me përfaqësuesit e tij.
Në aspektin politik, partitë tona s’janë realisht shumë larg njëra tjetrës, përveç interesit me dhe për pushtetin që në rastin e Kosovës nuk u jep shumë vota. Dhe, ky në Vitin 2025 përbën realisht një nga problemet e mëdha/ SM