Mbështetësit e opozitës tubuan të shtunën para Kryeministrisë, bashkë me liderët e partive kryesore në pakicë parlamentare, për të denoncuar e përsëritur deklaratat e bëra kundër njerëzve në qeveri nga ish-zëvendëskryeministri socialist Arben Ahmetaj.
Duke komentuar protestën, analisti Mentor Kikia u shpreh për RTSH 24 se synimi qendror i tubimit ishte ndërgjegjësimi dhe nxitja e një reagimi qytetar për çfarë nuk po shkon mirë në vend.
“Ndryshe nga herët e tjera kur protesta thirrej si nevojë e Partisë Demokratike për t’u identifikuar si fuqia më e madhe opozitare pas rimarrjes së drejtimit të saj nga Berisha, kjo e sotmja synonte që të ndërgjegjësonte qytetarët dhe t’i ftonte të reagonin për problemet ekonomike dhe mbi të gjitha për jetën e shfrenuar e të luksit, që, sipas opozitës, bëjnë eksponentët më të lartë të qeverisë“, u shpreh z. Kikia.
Fjala e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili qëndron i izoluar që prej arrestimit fundtetorin e kaluar, ishte një moment kulmor i protestës, sipas Kikias.
“Më shumë sesa përmbajtja e mesazhit të Metës, pjesëmarrja e Metës në protestë, nëse do e quaja të tillë, kishte një tjetër simbolikë. Po të kemi parasysh kohën kur Berisha ishte në arrest shtëpie, protestat që organizoheshin nga Partia Demokratike e kishin prezencën e Sali Berishës përmes një ekrani, ku ai i drejtohej pjesëmarrësve me fjalimin që mbante nga shtëpia. Në ato protesta, kujtojmë që Ilir Meta nuk para i afrohej këtyre tubimeve të PD-së, duke lënë të kuptohej që është një çështje e brendshme e Partisë Demokratike dhe jo e opozitës së bashkuar.
Sot Berisha ka deklaruar në mënyrë të vazhdueshme se ai do ta përfshijë Ilir Metën në listat e sigurta të kandidatëve për deputetë, që do të hartohen nga PD-ja në bashkëpunim me aleatët. Berisha ka treguar një mbështetje pa doreza ndaj Ilir Metës, duke e quajtur një ‘të burgosur politik’ dhe duke e bërë pjesë të vazhdueshme të agjendës politike. Besoj që edhe mundësimi i një mesazhi të Ilir Metës përmes një regjistrimi me telefon nga avokatët e tij në burgun ku ai vazhdon të mbahet i izoluar, ishte një tregues që Partia e Lirisë është tashmë pjesë e kësaj opozite, edhe Ilir Meta“, tha Kikia./ S,M