Ish-ligjvënësja Tulsi Gabbard u konfirmua këtë të mërkurë (12 shkurt 2025) pasi senatorët republikanë mbështetën të emëruarën e Presidentit Donald Trump për të drejtuar komunitetin e zbulimit.
Me 52 vota pro dhe 48 kundër, votimi u nda në vija partiake për të konfirmuar zonjën Gabbard e cila do të mbikqyrë një komunitet me 18 agjenci federale të kundërzbulimit.
Ky votim është fitorja e radhës për Presidentin Trump ndërsa të emëruarit e tij vazhdojnë përballjen me senatorët.
Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat John Thune, shtoi në rend të ditës procesin e votimit të emëruarit të Presidentit Trump për të drejtuar Departmantin e Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr menjëherë pas konfirmimit të zonjës Gabbard.
Dyzet e tre vjeçarja Gabbard, ish anëtare e Partisë Demokrate, është përballur me pyetjet e senatorëve të të dyja partive në lidhje me deklaratat e saj të mëparshme që shihen si mbështetje për kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara dhe për mungesë përvoje.
Zonja Gabbard asnjëherë nuk ka punuar për ndonjë agjenci spiunazhi dhe as nuk ka shërbyer në komisionin për kundërzbulim të Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa ishte ligjvënëse për katër mandate.
Ajo tani do të drejtojë një agjenci që është krijuar nga Kongresi pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2011, për të bashkërenduar aparatin e gjerë të kundër-zbulimit të Shteteve të Bashkuara, një nga postet më të rëndësishme në qeverinë amerikane që ka të bëjë me sigurinë kombëtare.
Përzgjedhja e drejtuesit të zbulimit kombëtar është me rëndësi të madhe”, thotë Emily Harding, Drejtore e Programit për Zbulim, Siguri Kombëtare dhe Teknologji te Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Ajo vë theksin tek qasja e gjerë që ky drejtues ka mbi materialet e klasifikuara dhe rolin që luan si këshilltar i presidentit për inteligjencë.
Rusia, Siria dhe Snowdeni
Njoftimi i zotit Trump në muajin nëntor për emërimin e zonjës Gabbard shkaktoi habi në qarqet e sigurisë kombëtare, duke shtuar shqetësimet për politizimin e mbledhjes së inteligjencës.
Skeptikët kanë ngritur shqetësimin mbi deklaratat e mëparshme të zonjës Gabbard që vlerësohen si miqësore ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe mbrojtjes që i ka bërë ish udhëheqësit sirian Bashar al-Assad. Zonja Gabbard e vizitoi Assadin në Siri më 2017 ndërsa ai ishte nën sanksione amerikane.
Gjatë përballjes me pyetjet e senatorëve, zonja Gabbard u pyet gjithashtu edhe mbi mbrojtjen që i ka bërë më parë ish kontraktorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA) Edward Snowden i cili bëri publike në mënyrë të jashtëligjshme mijëra dokumente të klasifikuara dhe më pas kërkoi azil në Rusi.
Disa ishin qartazi të zemëruar nga refuzimi i saj që ta quante Snowdenin tradhëtar.
Republikanët që kishin shprehur shqetësime janë përballur me trysni të shtuar politike nga Presidenti Trump dhe aleati i tij, miliarderi Elon Musk. Ky i fundit kishte paralajmëruar se nëse nuk votonin për konfirmimin e zonjës Gabbard ai do të mbështesë kandidatët që do të sfidonin ata në primaret e ardhshme republikane.
Senatori Todd Young, anëtar i komisionit të zbulimit që në fillim nuk i ofroi mbështetje emërimit të zonjës Tulsi Gabbard, publikoi një deklaratë që i ofronte mbështetje asaj para se komisioni të votonte pro zonjës Gabbard. Komisioni votoi në vija partiake me 9 vota republikane por dhe 8 demokrate kundër duke e çuar emërimin e saj për votimin përfundimtar në Senat.
Senatori që ka qenë oficer i inteligjencës në marinën amerikane e kritikoi zotin Musk para se të mbështeste kandidaturën e zonjës Gabbard. Senatori Young tha se zonja Gabbard e ka siguruar atë se do të mbështesë profesionistët e komunitetit të zbulimit dhe do të ofrojë informacione të paanashme.
Mbështetësit e zonjës Gabbard përshëndetën zotimin e saj që të zvogëlojë stafin e agjencisë së saj ndërsa Presidenti Trump po bën përpjekje të mbyllë agjenci të tëra federale.
Të emëruarit e mëparshëm për këtë post kanë qenë veteranë të komunitetit të zbulimit dhe të cilët janë konfirmuar me mbështetje dypartiake. Daniel Coats, ish ambasador dhe senator republikan që shërbeu në komisionin e inteligjencës ishte konfirmuar gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump nga 85 senatorë kundrejt 12 senatorëve që kishin votuar kundër.
Harding said Gabbard will need to reassure allies that they can trust Washington as Trump pursues an aggressive foreign policy, and be cautious about making cuts amid myriad global challenges.
Zonja Gabbard hoqi dorë nga Partia Demokratike më 2022 duke u regjistruar si e pavarur. Ajo mbështeti më pas zotin Trump dhe u bashkua me Partinë Republikane më 2024./ VOA