Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka bërë thirrje ditën e sotme mediave që të tregohen të kujdesshme dhe objektive, lidhur me raportimet që mund të cënojnë integritetin dhe pavarësinë e prokurorëve.
Përmes një deklarate për mediat, KLP ka thënë se prokurorët duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre të lirë dhe të pavarur.
Deklarata për mediat e KLP:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë vlerëson misionin e medias së pavarur për informimin e publikut, duke respektuar parimin e objektivitetit dhe atë të mos cenimit të dinjitetit njerëzor, të familjes dhe mbrojtjes së jetës private.
Me qëllim që të garantohet autoriteti dhe paanshmëria e sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i bashkohet qëndrimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor në mbështetje të të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, lidhur me disa raportime mediatike që mund të rezultojnë në cenim të integritëtit dhe pavarësisë së tyre.
Etiketimet e përdorura, vlerësimet e njëanshme, pa shqyrtime të kujdesshme dhe objektive, siç e kërkon gazetaria profesionale, devijojnë raportimin e paanshëm dhe të balancuar nga media. Kjo mund të sjellë një informim jo-profesional dhe cenim të besimit të publikut tek drejtësia.
Drejtësia e pavarur dhe profesionale duhet të prevalojë në çdo rast, ndaj nxisim bashkëpunimin me median për një raportim të drejtë, të balancuar dhe të verifikuar. /E.T