Shoqëria jonë bastarde e veshjeve “firmato” që kërkon viktima për luksin e saj

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Disa fjalë të shkruara me bojë dhe letër pushtuan faqet e rrjeteve sociale. Dhe komentet ishin të pafjala. Sepse çfarë ishte për të thënë, ishte thënë. Dhe çfarë ishte për të bërë, ishte bërë ndërkohë. Ndaj, çdo keqardhje tjetër e mëtejshme nuk kishte asnjë kuptim.

Ishin fjalët e një vajze 17-vjeçare. Quhej Irsa dhe ishte nga Gjirokastra. Nuk ishin vargje dashurie, as mesazhe të koduara ku mund të aludohej për “këtë” apo “atë”, por një denoncim faktik për një shoqëri të ngritur mbi antivlerat e jetës.

Pse vesh të njëjtat rroba dhe nuk vishesh si ne… firmato?”

Ky ishte gjykimi për një vajzë të re, – nga bashkëshokët e saj, – që shkonte në shkollë për të mësuar e jo për t’u zhgërryer.

A thua vërtet kemi mbetur aq primitivë në gjykim, sa kërkojmë të mbulojmë idiotësinë e mendjes sonë të zhveshur me lecka që në treg cilësohen “të shtrenjta”?

A thua vazhdojmë të mbetemi po e njëjta shoqëri si ajo e 35 viteve më parë, kur dolëm nga izolimi i sistemit politik dhe nuk dinim çfarë të bënim me lirinë tonë… prandaj lamë namin nëpër botën?

Po, kanë kaluar 35 vite prej asaj kohe, kur çdo bluzë me stampë mbi gjoks na dukej “firmato”, edhe pse ato ishin për të fshirë dyshemenë. Dhe sot, bluza, pantallona e këpucë, – që i gjen me shumicë dhe në kazanët e mbeturinave, – i bëjnë përshtypje një shoqërie.

Kjo e kalon absurdin.

Irsa ishte viktimë e këtij mentaliteti. Ajo ndihej e bullizuar çdo ditë të jetës së saj në shkollë. Prandaj shkroi një letër dhe… iku, sepse nuk kishte fuqi të bënte ndryshe. Ndihej e pambrojtur. Ndihej e dobët. Arma e saj e vetme ishin këto fjalë, si një dëshmi ndoshta, një gjurmë që do të mbetej pas vdekjes së saj të shpejtë. Sepse gjithçka duhet të kishte një kuptim. Edhe vdekja e saj duhej të kishte një kuptim. Ndoshta dhe një qëllim. Duhet të merrte vlerë për diçka.

Mos bëni me të tjerët siç bëtë me mua.”

Sepse Irsat janë të shumta mes nesh. Dhe hapi për të kaluar nga një stad jete në atë të vdekjes është shumë i shkurtër. Ndonjëherë i papërfillshëm. Edhe pse në fakt i ndan një humbellë e thellë dhe e frikshme.

Irsa ishte gjimnaziste. Në kulmin e moshës së saj. Por zgjodhi të ikte nga kjo jetë. Ishte një vendim i nxituar, gjithsesi. Një veprim i pamenduar mirë. Sepse askujt, përveç vetes, nuk i bëri dëm me veprimin që kreu. Para se të ishte pjesë e një shoqërie që nuk e pranonte në gjirin e saj “plot sqimë”, Irsa ishte vajza e dy prindërve. Dhe plaga që ajo la pas është e papërfillshme për një shoqëri indiferente dhe arrogante, por do të jetë e hapur dhe do të dhembë pa fund për njerëzit e saj më të afërt.

Ndaj, nuk duhej të vdiste. Nuk duhej t’i vetëofrohej vdekjes. Kaq e lirë paska qenë jeta e saj, sa të vihej në kandar me një palë xhinse “Levi’s”, një palë atlete “Reebok” dhe një fustan dekolte nga “Zara”?

Mediat publikuan njëzëri fragmente të shkëputura nga letra që kishte lënë në kapakun e celularit vajza, para se të hidhte lakun e ashpër mbi qafën e saj të brishtë. Ishte një letër që disa thonë se e kishte shkruar në anglisht, por që hedh dritë mbi vuajtjet që përjetonte gjimnazistja e shkollës “Siri Shapllo” nga shokët e klasës.

Lexo edhe :  Çfarë duhet të presim nga qeveria “Kurti 3”?

O Zot, pse po vuaj kështu vallë? Unë jam kjo që jam dhe miqtë e shokët kërkoj të më respektojnë. Por ata tallen me mua. Unë ndihem kaq e vetmuar dhe e mbytur në vetminë time. Nuk më vjen turp për veshjen time. Kaq mundësi kanë prindërit e mi, babai im që kujdeset aq shumë për mua, po ashtu edhe nëna. Po pse u dashkam të jem kaq e veçuar? Ku të ankohem? Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ia hap zemrën time? Tek askush nuk kam besim. Madje as te psikologia, ndonëse jam hapur. Pse u dashka të vuaj? Vallë kjo është jeta?”

Këto ishin fjalët që bënë xhiron e rrjetit pas vdekjes. Se në të gjallë të saj askush nuk kishte për t’ia lexuar. Në mos, po edhe për këtë shkak do të ishte anatemuar më tepër.

Nuk di si janë ndjerë nxënësit e klasës së saj kur së pari kanë marrë vesh se shoqja e tyre vdiq. Dhe vdiq prej tyre. Sepse të gjithë nga pak e shtynë drejt humnerës. Madje dhe mësuesja kujdestare, edhe psikologia edhe stafi pedagogjik i gjimnazit në tërësinë e tij.

Pastaj kanë marrë lajmin e dytë: që shoqja e tyre u vetëvar. Dhe koncepti “var” merr një konotacion edhe më të ashpër. Dhe ndoshta ajo prandaj u vetëvar.

Dhe lajmi i tretë duhet të jetë edhe më i keq, sepse ishte një akuzë – për ta, për ata që e çuan drejt litarit.

Irsa nuk jeton më. Shoqet dhe shokët e saj të shkollës po. Ata do të futen çdo ditë në klasë për të nxënë dituri, për të marrë mësime edukate… Mbi shpatulla do të mbajnë një peshë. Të rëndë sa vetë vdekja. Madje edhe atëherë kur kujtojnë se nuk po e ndjejnë, pesha mbi shpatulla do të vazhdojë t’u rëndojë. Sepse në ndërgjegjen e tyre, imazhi i Irsës do të gdhendet si me një daltë të hekurt. Ajo nuk do t’u shqitet më.

Por a mund të vetëvritet njeriu sepse shokët e klasës nuk i pëlqejnë veshjen? Dhe ku pa: në Gjirokastër, ku gjithë qyteti ka rreth 40 mijë banorë. Në Nju Jorkun e madh, me mbi 10 milionë njerëz që hyjnë e dalin, mund të ecësh rrugëve dimër-verë, vetëm me pantallona të shkurtra nëse ta mban trupi, dhe askush nuk të hedh sytë për të të bullizuar për veshjen tënde. Sepse askujt nuk i intereson një gjë e tillë kaq e tejkaluar.

Por ky lloj emancipimi na mungon. Dhe ne mendojmë ende si shumë vite më parë, kur ishim të pangrënë e të paveshur, dhe mendonim thellësisht se një bluzë më shumë do të na bënte njeri. Ndërkohë që nuk qenka ky kushti. Njeriun nuk na e bën një bluzë më shumë, dhe kur ajo është aq e bukur dhe aq e mirë, sa… o Zot, mund të kushtojë disa mijëra euro.

Të fundit

Mjekja Pediatre Dr Gjeorgjina Kuli Lito:Virozat te fëmijët ja këshillat për prindërit

Doktoreshë Gjeorgjina Kuli, Shefe e Shërbimit të Pediatrisë dha disa këshilla praktike për fëmijët. Ajo tha se produktet natyrale, kanë...

Marta Kos takim me liderët e Ballkanit Perëndimor, i pranishëm edhe kryeministri Rama

Komisionerja e BE për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos ka zhvilluar nje takim me lideret e Ballkanit Perëndimor në Mynih, ku po...

Butrint Imeri nuk heq dorë nga vajzat e famshme, bën publike lidhjen me modelen

Këngëtari i njohur shqiptar, Butrint Imeri, është përfolur së fundmi për një lidhje të mundshme me modelen turke. Dyshja është kapur mat në një...

“Burri më kërcënoi me thikë”,flet gruaja nga Korça:Erdhi i pirë, më mbrojti djali i vogël

Një grua nga Korça ka rrëfyer momentet e frikës që përjetoi pasi u kërcënua me thikë nga bashkëshorti i saj 57-vjeçar. Sipas saj, burri i...

I dërguari amerikan: Evropa nuk do të jetë pjesë e bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë

Evropa do të konsultohet, por përfundimisht do të përjashtohet, nga bisedimet e planifikuara të paqes midis Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës, ka zbuluar i dërguari...

Lajme të tjera

Web TV