Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ vendosi ditën e sotme që t’I hapi rrugë miratimit në Kuvend të nismës qeveritare “Paketa e Maleve”.
Për këtë vendim të KAS ka reaguar edhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan se ky vendim konfirmon se propozimi i MEKI dhe i Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, është në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit Zgjedhor.
Ministri Blendi Gonxhja thekson se nisma ligjore e ndërmarrë nga MEKI për miratimin e këtij projektligji dhe zbatimin e tij, do të vijojë pa vonesa.
“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përshëndet vendimin e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vijimin e procedurave parlamentare në miratimin e projektligjit “Për Paketën e Maleve”!
Ky vendim konfirmon qartësisht se propozimi i MEKI dhe i Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, është në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe nuk bie ndesh me legjislacionin e zbatueshëm në fuqi!
Jemi të lumtur që nisma ligjore e ndërmarrë nga MEKI për miratimin e këtij projektligji dhe zbatimin e tij, do të vijojë pa vonesa, duke garantuar qasje të qëndrueshme për zhvillimin dhe mbrojtjen e zonave malore, bazuar në standarde dhe praktika më të mira!”.
Kujtojmë që Celibashi në vendimmarrjen e tij konstatoi se nismat “prekin politika të rëndësishme fiskale, mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale” dhe në këtë kontekst i kërkoi Kuvendit që të mos i shqyrtonte.
Por, Kuvendi e ankimoi menjëherë vendimin e Celibashit në KAS, ku shumica e anëtarëve argumentuan se vendimmarrja e Komisionerit është e pambështetur në ligj./ S,M