Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka kënaqësinë të ftojë studiuesit, ekspertët e arkivave të trojeve shqiptare dhe të mbarë rajonit, si edhe çdo të interesuar të bashkësisë shkencore, për të marrë pjesë në botimet e vitit 2026.
Për vitin e katërt radhazi, DPA-ja, e rikthyer në funksionin e botueses periodike, publikon studime mbi periudha dhe figura të rëndësishme në historinë e vendit. Po ashtu, pjesë e publikimeve të përvitshme janë edhe udhëzuesit mbi metodologjinë arkivore në hapësirën kombëtare.
Me synimin për të dhënë një kontribut në historiografinë shqiptare, DPA-ja propozon tematika që përkojnë me përvjetorët e ndodhive historike, me lindjen dhe me vdekjen e disa prej emrave më të angazhuar në veprimtarinë publike. Mes tematikave të dedikuara botimeve të këtij viti, sugjerojmë të trajtohen jubilarë të rëndësishëm, sikurse janë:
– Diplomacia shqiptare gjatë periudhës së Republikës (1925-1929);
– 130-vjetori i lindjes së Mujo Ulqinakut;
– 110-vjetori i themelimit të Komisisë Letrare të Shkodrës;
– 110-vjetori i vdekjes së Isa Boletinit;
– 100-vjetori i vdekjes së Aqif Pashë Elbasanit;
– 80-vjetori i vdekjes së Lef Nosit.
Risia e këtij viti është publikimi i një udhërrëfyesi arkivor, që do të ketë për qëllim orientimin e studiuesve në procesin e kërkimit online, në platformën e Sallës së Studimit apo në Këndet Arkivore të çelura në dhjetëra qytete në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Greqi dhe në jug të Italisë. Për secilën prej këtyre gjinive të botimeve, të interesuarit duhet t’i drejtohen adresës botime.arkiva.gov.al, për të depozituar kërkesën e tyre për pjesëmarrje dhe abstraktet e punimeve të propozuara.
Po ashtu, në materialet të mundshme për botim përfshihen përmbledhjet e dokumenteve për një periudhë, çështje apo personalitet historik; punimet monografike të lidhura me historikun e arkivave, sfidat dhe problematikat e tyre në Shqipëri e më gjerë; botimet e dokumenteve në gjuhë të rralla (osmanisht, greqisht, latinisht etj); botimet e akteve ligjore dhe nënligjore për punën me dokumentet arkivore; inventarët, katalogët dhe treguesit e punës kërkimore në arkiva.
Çdo punim i paraqitur nuk duhet të kapërcejë kufirin prej 400.000 shkronjash dhe shenjash, ose të 10 fletëve tipografike. Thirrja për pjesëmarrje do të qendrojë e hapur deri më datën 5 prill, 2025.