Qëndresa Qytetare i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të ndaluar një takim të planifikuar të Kryeministrit Edi Rama me punonjësit e Bashkisë së Tiranës pasditen e sotme. Sipas organizatës, takimi është i organizuar në mënyrë të detyruar dhe përfshin gjithë administratën e Bashkisë, me secilën drejtori përgjegjëse për pjesëmarrjen e stafit të saj.
Në argumentimin e saj, Qëndresa Qytetare thekson se ky takim konsiderohet si një veprimtari publike, sipas nenit 92 të Kodit Zgjedhor, pasi organizohet nga Kryeministri, zhvillohet në periudhën katërmujore të parashikuar nga ligji, dhe është i hapur për publikun dhe mediat. Organizata pretendon se Kryeministria nuk e ka raportuar këtë aktivitet në ndërfaqen e raportimeve NRI, duke shkelur kështu detyrimet ligjore.
Nga verifikimet e organizatës, Kryeministria ka raportuar vetëm dy aktivitete publike për datën 20 shkurt 2025: inaugurimin e Spitalit të Pediatrisë në QSUT dhe hapjen e eventit “Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”. Për këtë arsye, Qëndresa Qytetare i kërkon KQZ-së të ndërhyjë për të ndaluar zhvillimin e takimit të Kryeministrit me punonjësit e Bashkisë Tiranë, duke e konsideruar atë në kundërshtim me rregullat e fushatës zgjedhore./ S,M