Policia ka shpallur në kërkim një çift bashkëshortësh nga Dimali, të cilët përzienin produkte të dëmshme dhe më pas i shisnin nëpërmjet mashtrimit, si vaj ulliri në qytetin e Shkodrës.
Në lidhje me rastin ka nisur procedim penal ndaj shtetases që u kishte dhënë ambientet me qira në qytetin verior.
Nga të dyja ambientet, sekuestrohen 300 litra vaj (përzierje lëndësh të panjohura dhe të dëmshme) dhe automjeti me të cilin shitej vaji në qytetin e Shkodrës.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Përzienin produkte të dëmshme, të cilat më pas i shitnin nëpërmjet mashtrimit, si vaj ulliri, shpallen në kërkim 2 shtetas (bashkëshortë), banues në Dimal.
Çifti i bashkëshortëve kishte marrë 2 ambiente me qira në Shkodër, ku kryenin këtë veprimtari.
Procedohet penalisht shtetasja që kishte dhënë me qira ambientet.
Nga të dyja ambientet, sekuestrohen 300 litra vaj (përzierje lëndësh të panjohura dhe të dëmshme) dhe automjeti me të cilin shitej vaji në qytetin e Shkodrës.
Menjëherë pas kallëzimit të përfaqësuesve të emisionit investigativ “Stop”, për një rast të mashtrimit me produktet ushqimore (vaj ulliri), specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Berat, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, kanë ndërhyrë për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore, përgjegjësit për këtë rast.
Në vijim janë kryer kontrolle në 2 magazina në Shkodër, në pronësi të shtetases J. M., 40 vjeçe, të dhëna me qira, bashkëshortëve E. B., 50 vjeç dhe V. B., 43 vjeçe, banues në Dimal. Në këto ambiente janë gjetur 300 litra përzierje lëndësh të panjohura dhe të dëmshme, të cilat shiteshin në qytetin e Shkodrës, nëpërmjet mashtrimit, si vaj ulliri.
Për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit E. B. dhe V. B., për kapjen e të cilëve, vijojnë kontrollet. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për 40-vjeçaren.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat falënderon gazetarët e emisionit investigativ “Stop”, për referimin dhe bashkëpunimin në lidhje me këtë rast. Gjithashtu, fton mediat dhe qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie. Reagimi i Policisë do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme, për veprat “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve”, “Moslëshimi i kuponit tatimor” dhe “Ushtrimi i aktivitetit të palicencuar ose i paregjistruar në organet tatimore”./K.K