Kryeministri Rama mikpriti një ditë më parë në Tiranë Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i cili erdhi për herë të parë në Shqipëri si President i EBA, në krye të një delegacioni të nivelit të lartë.
Presidenti i EBA Mohamed bin Zayed Al Nahyan u nderua në një ceremoni mireseardhjeje në Pallatin e Brigadave dhe më pas të dy personalitetet zhvilluan një takim kokë më kokë.
Kryeministri Rama ka ndarë sot foto nga takimi mes tyre.
“Mirëmëngjes dhe me FotoALBUMIN e një vizite historike, ardhjes për herë të parë në Shqipëri të Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nayan, me të cilin vendosëm piketa të reja bashkëpunimi në një rrugë miqësie vëllazërore, ju uroj javë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.
Në kuadër të kësaj vizite u shkëmbyen marrëveshjet e nënshkruara të bashkëpunimit mes palëve, konkretisht:
-Marrëveshja Kuadër për Veprim mes Masdar, TAQA, KESH dhe OST, që u shkëmbyen mes Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe kryetarit të MASDAR Sulltan Al Jaber.
– Letër Angazhimi për Projektin Albania Smart City ndërmjet “Presight AI Ltd” dhe Ministrisë së Brendshme e Republikës së Shqipërisë, të shkëmbyera mes Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe Kryetarit të “Presight AI Ltd” Sulltan Al Jaber.
Marrëveshjet u shkëmbyen në një ceremoni të posaçme në praninë e Kryeministrit Rama dhe Presidentit të EBA Mohamed bin Zayed Al Nahyan./k.k