Nga Leonard Veizi
Zë fill që në periudhën e largët të antikitetit, kur Helena u dashurua me Paridin dhe “Për hir të dashurisë” u vranë mijëra burra dhe u shkretua e gjithë Troja. “Për hir të dashurisë”, gjithmonë ka sjellë viktima, deri tek Zhuljeta dhe Romeo në Veronën latine. Dhe dashuria e për hir të saj sakrifikoi Tanush Topinë dhe bashkëshorten Helena, që ishte pinjolle e derës së famshme të dinastisë franceze të Anzhuinëve dhe vajza e vetë Robert të Anzhusë, që aso kohe ishte dhe mbret i Napolit. Por nuk u mjaftua me kaq, sepse “Për hir të dashurisë” përveç ngjarjes së shekullit XIV solli mjaft viktima dhe në shekullin XX kur Shqipëria që tërhiqej nga Partia e Punës për tu bërë Socialiste bënte pjesë në Kampin Lindor. Flitet për gratë ruse që burrat shqiptarë me dashuri të madhe i morën në udhën e gjatë nëpër det… për të zezën e tyre të pafat.
…Burra shqiptarë, djem fare të rinj dhe të tjerë më në moshë, lanë pushkët trofe të Luftës dhe zbarkuan në botën e madhe të stepave, territori të cilës aso kohe quhej Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Moska ishte madhështore, me kupola kishash, portikë e kampanil, për më tepër po ta krahasoje me Tiranën. Dhe vetë jeta në metropolin lindor ishte shumë më e lirë dhe e gëzueshme se sa në vendin ku ndikimi oriental i Azisë së Vogël i mbante gratë pas portave me dryna ndërsa burrat pinin duhan dhe raki kazani nëpër akshihane. Herë me anijen “Irgis”, herë me atë që quhej “Krimea” por dhe me anijen “Transilvania” që bënte rregullisht linjën Odesa-Durrës, djemtë nga Shqipëria kalonin nga Adriatiku e Joni, nëpër Bosfor për të lunduar në Detin e Zi e për të ankoruar në portin e Sevastopolit. Krejt të parahur me jetën moderne por me instikte të forta mbijetese si shqiptarë safi, ish partizanët me yllin e kuq e këpucë angleze të Ushtrisë Nacionalçlirimtare u kthyen në nxënës shkollash ushtarake parësore dhe u ulën në bankat e akademive superiore “Vorollishov” a “Frunze” për t’u bërë më pas drejtues të lartë ushtarakë.
Dhe shkuan të vetëm në Rusinë e largët, pa e ditur se në kthim do t’i çudisnin punëtorët durrsak të portit kur nga anijet e transportit “Krimea” a “Irgis” do të zbrisnin shkallët me valixhe dërrase në dorë dhe vajza flokëverdha përkrahu. Ishin vajza plot hire ruse, që kishin braktisur familjet dhe vendin me klimën acar të ftohtë për të mbërritur milje larg në Shqipërinë e huaj, krejt të zhveshur por shumë të ngrohtë nga rezet e diellit dhe po aq miqësore në frymën njerëzore.
Ky ishte vetëm prologu i miqësisë 15 vjeçare mes shqiptarëve dhe rusëve në tërësinë e tyre, sepse prologu do të ishte i errët e me humbella të thella.
Duke sjellë në vëmendje dashurinë e shqiptarëve me gratë ruse dhe armiqësinë qeveritare ndaj tyre dhe burrave që i kishin marrë, flet dhe dokumentari “Për hir të dashurisë” i cili u promovua në ditët e fundit të shkurtit 2025 pikërisht në “Ditët e Kujtesës”.
Me skenarin e Blerina Gjokës dhe regjinë e Rezart Shehut, ky projekt përçoi në vëmendje një plagë të harruar të historisë, duke e sjellë atë përmes gojës dhe syve të atyre që e përjetuan në mënyrën më të dhimbshme. Një produksion i “Kujto.al”, me ndihmën e fondacionit “Kornad Adenauer Stiftung Albania” ky film shërben si një memorial për kujtesën historike dhe thirrje për drejtësi.
Historia e këtyre grave është një tragjedi në vetvete. Ato erdhën në Shqipëri të nxitura nga dashuria, por shumë shpejt u gjendën të ngujuara në një vend që nuk u dha as të drejtën për të jetuar të lira. Për regjimin, ato ishin “armike të popullit”, një lidhje e rrezikshme me botën e jashtme, dhe për këtë u ndëshkuan rëndë.
Si skenariste e dokumentarit, gazetarja Blerina Gjoka, kishte mundur të gjente dëshmitare të gjalla të kohës, gra ruse që flisnin shqip, po aq sa mund ta flasë çdo rus këtë gjuhë të vështirë dhe të përveçme me rrënjë indoeuropiane.
Dhe ato folën, treguan se si u dashuruan me shqiptarët dhe Shqipërinë, dhe si u ndanë plot dhimbje familjet e tyre, pas divorcit spektakolar të Enver Hoxhës me Nikita Hrushovin.
-Do ta kërkojmë Vlorën admiral…
Dhe ishte fort e trishtë tortura 30 vjeçare e familjeve dy kombëshe ku “Për hir të dashurisë” shumë syresh do të përfundonin pas hekurave të qelive, të tjerë do të punonin në fermat e të internuarve, dhe po aq do të jetonin të ndarë, ca në Korçë e Tiranë e ca në Moskë e Leningrad.
Po pse gjithë ky mllef?
Ka raste kur për hir të politikës gjërat rregullohen. Por jo rrallë, shkatërrohen. Atëherë në sipërfaqe dalin inatet e vjetra, mëritë e pa treguara dhe armiqtë që penguan mbarëvajtjen. Ndaj mund të jesh ti aty, për rastisi, në orën e gabuar dhe vendin e gabuar… e të digjesh.
Në historinë e Shqipërisë, ka një kapitull të errët që mbart mbi vete dhimbjen e shumë grave ruse, të cilat u dashuruan, u martuan dhe ndanë jetën me burra shqiptarë, por më pas u ndanë me forcë nga familjet e tyre, u burgosën apo u persekutuan nën regjimin e hekurt të Enver Hoxhës. “Për hir të dashurisë” në këtë “Memory Days” apo Ditët e Kujtesës, është më shumë se një rrëfim artistik. Është një homazh për këto gra, të cilat u bënë viktima të një regjimi që nuk njohu mëshirë për dashurinë e tyre.
“Për hir të dashurisë” nuk është thjesht një film. Është një përpjekje për të mos lejuar që këto histori të fshihen nga kujtesa kolektive. Është një përkujtimore për gratë që u flijuan në një sistem që nuk pati mëshirë për to. Është një zë që ngrihet për të kujtuar dhe për të mos lejuar që historia të përsëritet.
Dhe ashtu siç thonë protagonistët dhe ideatorët e këtij dokumentari ky projekt na bën të reflektojmë mbi çmimin e dashurisë në kohë diktature dhe mbi dhimbjen e heshtur të mijëra grave, historitë e të cilave ende nuk janë thënë plotësisht. Ai është një dëshmi se kujtesa nuk mund të shlyhet dhe se, për sa kohë që të ketë zëra që tregojnë, e vërteta nuk do të shuhet kurrë.
Dhe për së fundi: a e dini sa studentë shqiptarë u shkolluan dhe u diplomuan në akademitë dhe universitetet Sovjetike? Spiro Mëhilli, kunsulent i dokumentarit në fjalë, gjatë intervistës dhënë po aty thotë se kanë qenë të paktën 5200 studentë shqiptarë në shkolla dhe akademitë ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik, në të gjitha degët e mundshme. Dhe të paktën 1200 të tjerë kanë studiuar për degë të tjera civile ku futen dhe artet, dhe mjekësia, dhe inxhinieritë e ndryshme.
Dhe sa gra ruse mbërritën në Shqipëri përmes këtyre martesave, duke përfshirë një periudhë kohe vetëm prej 9 vjetësh pasi deri në vitin 1951, qeveria sovjetike nuk ishte gjithmonë e gatshme të lejonte martesat me shtetas të huaj, përfshirë shqiptarët?
Këtu vështirë të të përgjigjet kush. Sepse nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e tyre. Madje kjo shifër nuk gjendet as në filmin e titulluar “Gratë ruse”, me skenar të Juri Arabov, që trajton historinë e këtyre grave dhe fatin e tyre tragjik në Shqipërinë e asaj periudhe.