Nga Huffington Post
Vështrova testin e shtatzënisë me lehtësim, trishtim, frikë, mall dhe pendim. Isha shtatzënë. U përpoqa të marr frymë. Si ndodhi kjo? Oh po, një herë kam bërë seks të pambrojtur. Sinqerisht nuk mendoja se mund të mbetesha shtatzënë. Në të 20-tat jam munduar me çdo kusht që kjo të mos ndodhte. Pastaj në të 30-tat e mia e doja pafund. U përpoqa me çdo kusht bashkë me të dashurin tim. Bëra kontrolle të vazhdueshme por nuk ia dola. Kur mbusha 40 vjeç u binda se kurrë nuk do të kem fëmijë. Por pastaj në moshën 43-vjecare ëndrra ime më e madhe u realizua.
Nuk e dija nëse e doja më apo jo. Kisha mbetur shtatzënë me dikë që kisha patur vetëm 4 takime. Në sekondë në mendjen time kalonin mijëra mendime. Isha e frikësuar nga të gjitha rreziqet e të pasurit një fëmijë si një nënë më e madhe në moshë, por asnjëherë nuk e kam menduar abortin. Fillova të mendoj për të ardhmen time. Do të më duhej të merrja një apartament me dy dhoma gjumi, mendova. Ndoshta prindërit e mi mund të ndihmojnë për të rritur fëmijën tim.
Nuk i tregova askujt deri të nesërmen. Personit të parë që i thashë ishte motra ime. Më pas disa miqve të ngushtë. Shumë prej tyre më mbështetën, megjithëse disa prej tyre më pyetën nëse isha e sigurt për ta mbajtur fëmijën ose jo.
E kisha shumë të vështirë të mos u tregoja njerëzve lajmet e mia të lumtura. Doja ta ndaja me botën, por as prindërve nuk ua thashë dhe as babait të fëmijës tim. E dija që do t’u tregoja, por ndjeva se duhej të prisja. Kisha dëgjuar se nuk duhet të tregoja derisa të paktën të isha 12-javëshe.
Por në vizitën time të radhës te doktori diçka nuk shkoi mirë. Ai më tha se nuk i dëgjonte rrahjet e zemrës. E detyruar bëra abort. Menjëherë u pendova që nuk ua tregova prindërve të mi. Unë kisha nevojë për nënën time më shumë se kurrë. Pse nuk e kisha ndarë të vërtetën që nga fillimi?
Aty kuptova se gjëja më e rëndësishme për ne si shoqëri, është të ndalojmë së vepruari ‘siç thotë masa’. Hiqni qafe stigmën rreth shtatzënisë dhe filloni të kujdeseni për njerëzit në të gjitha fazat e udhëtimit të tyre , madje edhe për shtatzënitë që nuk përfundojnë./ S,M