Eksperti i bujqësisë, Zef Gjeta, i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, ka analizuar situatën e sektorit bujqësor në Shqipëri, duke theksuar se ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme për të frenuar rënien e prodhimit vendas.
Sipas Gjetës, pas viteve ’90, shumë shqiptarë janë larguar nga bujqësia, duke ndikuar në uljen e kontributit të këtij sektori në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). “Ndikim të madh ka pasur edhe emigracioni, duke sjellë një reduktim të ndjeshëm të numrit të fermerëve aktivë,” tha ai.
Një tjetër problem, sipas ekspertit, është fakti që Shqipëria po importon një pjesë të madhe të produkteve bujqësore dhe blegtorale. “Kemi rreth 1 milion bagëti të imëta, por shumicën e deleve i importojmë nga Zelanda e Re. Mishi i viçit dhe derrit vjen nga Argjentina dhe Brazili, që tregon mungesën e një prodhimi të qëndrueshëm vendas,” theksoi ai.
Gjeta bëri thirrje për më shumë mbështetje shtetërore, duke vënë në dukje se shumë fermerë përballen me kosto të larta të prodhimit, të cilat nuk përkthehen në fitime të mjaftueshme. Sipas tij, qeveria duhet të rrisë investimet dhe mbështetjen për sektorin, në mënyrë që Shqipëria të forcojë prodhimin e saj vendas dhe të ulë varësinë nga importet./e.t