Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një komunikim me mediat shpalosi disa nga pikat kyçe të programit politik. Berisha tha se me ardhjen në pushtet paga minimale do të shkojë në 500 euro dhe paga mesatare në 1200 euro. Sipas tij, pensionet do të rriten me 20 përqind, ndërsa çmimi i naftës do të ulet me 30 deri në 40 përqind.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se Aleanca për Shqipërinë Madhështore, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike, është premtimi më i madh dhe më i besueshëm për shqiptarët pas përmbysjes së diktaturës komuniste. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se ky projekt është më shumë se një program politik, është një vizion kombëtar që synon të nxjerrë Shqipërinë nga varfëria dhe shqiptarët nga skamja që i ka mbërthyer prej vitesh. Berisha tha se e kupton lodhjen dhe dëshpërimin e shqiptarëve, që ndihen të rraskapitur nga një regjim që i ka vjedhur, mashtruar dhe varfëruar pa mëshirë. Ai u shpreh se shumëkush mund ta shohë Shqipërinë Madhështore si një ëndërr të largët, por koha për ta kthyer këtë ëndërr në realitet ka ardhur dhe ajo do të bëhet më e prekshme se kurrë më parë. “Ky është një premtim dhe një betim që nuk do të thyhet, sepse është betimi i dhembshurisë për çdo shqiptar, kudo ku ndodhet, brenda apo jashtë kufijve të Shqipërisë”, tha Berisha. Shqipëria Madhështore, sipas Berishës, nis me një angazhim të madh dhe të palëkundur. Asnjë shqiptar nuk do të njohë më varfërinë ekstreme. Ky është themeli mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja. Në këtë frymë, ai prezantoi një sërë masash konkrete që do të çlirojnë qytetarët nga barra e skamjes dhe do t’u hapin rrugën dinjitetit dhe mirëqenies. “Minimumi jetik do të vendoset në 200 euro dhe do të indeksohet çdo vit në përputhje me rritjen e çmimeve. Paga minimale do të shkojë në 500 euro dhe paga mesatare në 1200 euro. Pensionet do të rriten me 20 përqind. Çmimi i naftës do të ulet me 30 deri në 40 përqind. Do të vendoset karta e konsumatorit, e cila do të mbështesë me rimbursime deri në 450 euro në vit për familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe përfituesit e minimumit jetik, duke lehtësuar kostot e ushqimeve dhe produkteve bazë. Çmimi i energjisë për familjet do të ulet në 7 lekë, ndërsa për bizneset do të bjerë nga 18 apo 24 lekë që është sot, në vetëm 6 lekë. Taksa mbi pronën do të zvogëlohet ndjeshëm, duke sjellë frymëmarrje për çdo familje shqiptare”, tha shefi i opozitës. Berisha tha se ky projekt është më shumë se një reformë ekonomike. Është shtylla e dhembshurisë njerëzore, mbi të cilën do të ndërtohet Shqipëria Madhështore.
Made in Albania
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një deklarate për mediat, u ndal edhe te rëndësia e fuqizimit të prodhimit vendas si pjesë e vizionit për Shqipërinë Madhështore. Ai u shpreh se ekonomia e vendit nuk mund të rilindë dhe të çlirohet nga varfëria pa mbështetur prodhimin dhe eksportin shqiptar. Sipas Berishës, Made in Albania do të shndërrohet në simbolin e krenarisë kombëtare dhe në themelin mbi të cilin do të ndërtohet mirëqenia e shqiptarëve. Produktet e fermerëve dhe sipërmarrësve shqiptarë do të mbushin tregjet vendase dhe ato ndërkombëtare, duke i dhënë Shqipërisë statusin e një vendi që prodhon, punon dhe konkurron me dinjitet. Berisha u shpreh se qeveria e drejtuar nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të krijojë një klimë të favorshme për biznesin dhe do të mbështesë çdo iniciativë që rrit prodhimin vendas dhe eksportet, duke rikthyer Shqipërinë në një ekonomi prodhuese dhe jo konsumatore. Made in Albania do të jetë jo vetëm një etiketë tregtare, por një moto kombëtare që do të rikthejë besimin dhe krenarinë për produktet shqiptare, tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Reagimi
KRIIK Albania “shkund politikën”: Kandidatët
për deputetë me integritet dhe larg krimit
Organizata e monitorimit zgjedhor në vendin tonë KRIIK Albania, një nga partnered kryesore të OSBE/ODIHR, në një deklaratë për mediat I ka bërë thirrje drejtuesve të politikës që të “filtrojnë” kandidatët për deputetetë, veçanërisht në listat e mbyllura. KRIIK kërkon që veçarisht në këto zgjedhje mjaft të rëndësishme për vendin, kandidatët për deputetë duhet të jenë me integritet të lartë. “Integriteti i procesit zgjedhor është një prej testeve më të rëndësishme për një vend që është duke hapur kapitujt e anëtarësimit në BE. Ato janë një tregues kyç për BE-në se vendi kandidat është serioz në angazhimin e tij për të respektuar parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Nëse një vend dështon të organizojë zgjedhje të ndershme, rrezikon të ngadalësojë ose të pezullojë procesin e negociatave dhe të humbasë mbështetjen për anëtarësim”-thotë KRIIK, duke shtuar se përfaqësimi në kuvendin e ardhshëm të jetë sa më dinjitoz. “Në kushtet aktuale të vendit, në këtë fazë të procesit zgjedhor, është jetike për të ardhmen e vendit në Bashkimin Europian që asnjë forcë politike të mos përfshijë në listat e kandidatëve individë me të kaluar problematike me ligjin ose të lidhur me të tillë individë apo me veprimtari të tjera që cënojnë besimin e publikut, individë që janë nën ndikimin e personave që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit, që kanë qenë pjesë apo bashkëpunëtorë të organeve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist , që janë larguar nga sistemi i drejtësisë prej procesit të vetingut apo i janë shmangur atij, si dhe individë që kanë shkelur apo janë në konflikt me ligjin në vendet partnere të Shqipërisë”-thuhet në deklaratë. Sipas organizatës të monitorimit zgjedhor, “Përfshirja e individëve me të shkuar problematike dhe/ose në konflikt me ligjin, personave të afërt me ta apo që janë nën influencën e tyre, në një mënyrë apo në një tjetër, jo vetëm që minon besimin në procesin demokratik dhe pengon krijimin e një qeverisjeje të përgjegjshme e transparente, por edhe mund të shkaktojë vonesa dhe pengesa serioze në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Raportet Ndërkombëtare për Shqipërinë kanë evidentuar në vijimësi shqetësime mbi ndikimin e parave që vijnë nga krimi i organizuar apo korrupsioni në jetën publike”. Duke iu referuar Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Pastrimin Ndërkombëtar të Parave për vitin 2024 evidentohet ndikimi i parave të gjeneruara nga aktiviteti kriminal, duke theksuar se një pjesë e madhe e pastrimit të parave në vend ndodh përmes aktiviteteve kriminale si trafiku i drogës, mashtrimet me kontrata qeveritare dhe evazioni fiskal. Personat që kanë kryer apo kryejnë veprimtari kriminale shpesh i pastrojnë të ardhurat e tyre përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe biznese të ndryshme. “Për më tepër, raporti përmend raste ku ish-zyrtarë të lartë janë hetuar dhe akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, duke ilustruar lidhjet shqetësuese mes politikës dhe krimit të organizuar”-thotë KRIIK.