Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë jodetyruese mbi Librin e Bardhë për Mbrojtjen që Komisioni Evropian do të prezantojë më 19 mars dhe që do të përmbajë planin e riarmatimit të Europës.
Plani është ilustruar nga Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, në debatin plenar të martën dhe ditën e sotme u votua me 419 vota pro, 204 vota kundër dhe 46 abstenime.
Eurodeputetët e partisë së kryeministres Giorgia Meloni, Fratelli d’Italia, kishin paraqitur një amendament për të kërkuar ndryshimin e emrit të planit nga “Riarmatosja e Evropës” në “Mbroj Evropën”, por ai nuk kaloi.
Për Parlamentin Evropian ky është një “moment historik për mbrojtjen evropiane“. Eurodeputetët mirëpresin planin e riarmatimit të BE-së dhe mbështesin fuqimisht idenë që vendet anëtare duhet të rrisin fondet e mbrojtjes dhe sigurisë në nivele të reja, në të paktën 3% të PBB-së.
Parlamenti Evropian përsërit gjithashtu mbështetjen e tij për Ukrainën dhe “u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së, partnerëve ndërkombëtarë dhe aleatëve të NATO-s që të heqin të gjitha kufizimet në përdorimin e sistemeve të armëve perëndimore të dorëzuara në Ukrainë kundër objektivave ushtarakë në territorin rus”.
Parlamenti Evropian vëren “një ndryshim në politikën e jashtme të SHBA-së, pasi administrata Trump po propozon normalizimin e lidhjeve me Rusinë dhe po bëhet gjithnjë e më e qartë se Evropa duhet të forcojë sigurinë dhe mbrojtjen e saj për të qenë në gjendje të ndihmojë Ukrainën të mbrohet”.
Ndërsa për Parlamentin Evropian, Rusia, e mbështetur nga aleatët e saj Bjellorusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani, përfaqëson “kërcënimin më të rëndësishëm direkt dhe indirekt për BE-në dhe sigurinë e saj“.
Për eurodeputetët, “Bashkimi Evropian është tani në një pikë kthese në historinë dhe ndërtimin e tij“. Sipas Parlamentit Evropian, “BE-ja tani duhet të miratojë një qasje holistike dhe horizontale që integron një dimension të mbrojtjes dhe sigurisë në shumicën e politikave” dhe kjo qasje duhet “të mbështetet nga instrumentet rregullatore dhe financiare“.
Për më tepër, Parlamenti Evropian thekson “nevojën për të forcuar aftësitë dhe burimet, duke kapërcyer fragmentimin e tregut të mbrojtjes“.
Në këtë kuptim, Parlamenti Evropian është “i bindur fort se preferenca evropiane duhet të jetë gurthemeli i të gjitha politikave të BE-së në lidhje me tregun evropian të mbrojtjes, si një imperativ strategjik për të mbrojtur ekspertizën evropiane, në mënyrë që të forcohen aftësitë evropiane të mbrojtjes në afat të gjatë dhe sepse paratë e taksapaguesve të BE-së duhet të krijojnë vlerë të shtuar në territorin e BE-së”.
Eurodeputetët gjithashtu bëjnë thirrje për “masa të menjëhershme për të përmirësuar sigurinë dhe mbrojtjen e kufirit verilindor të BE-së me Rusinë dhe Bjellorusinë, duke krijuar një linjë mbrojtjeje gjithëpërfshirëse dhe elastike në sektorët tokësorë, ajrorë dhe detarë për të kundërshtuar kërcënimet ushtarake dhe hibride”.
Ata gjithashtu bëjnë thirrje për “krijimin e një Këshilli të Ministrave të Mbrojtjes dhe kalimin nga unanimiteti në shumicë të cilësuar për vendimet e BE-së në këtë fushë, me përjashtim të operacioneve ushtarake me mandat ekzekutiv”./E.T