Trajneri Sylvinho, ndryshe nga grumbullimet e mëparshme ka bërë disa ndryshime edhe sa i takon rregullave për lojtarët.
TIRANË – Kombëtarja shqiptare e futbollit është grumbulluar të hënën e 17 marsit në Tiranë, kjo për dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 në Grupin K. Tanët luajnë kundër Anglisë në Londër më 21 mars, ndërsa tre ditë më vonë në Tiranë mbërrin Andorra.
Trajneri Sylvinho, ndryshe nga grumbullimet e mëparshme ka bërë disa ndryshime edhe sa i takon rregullave për lojtarët. Sipas shtypit të shkruar, braziliani ka vendosur disa kufizime.
Kjo sa i takon vizitave nga familjarët apo të afërmit, daljet në kafe në kohën e lirë apo edhe orarit të pushimit në dhomat e hotelit ku ekipi qëndron në gumbullim.
Nëse edhe në edicionin e shkuar të Ligës së Kombeve shihnim shumë foto të tifozëve me lojtarët, këta të fundit tanimë nuk do mund të lëvizin “të lirshëm”. Koha e lirë do jetë më specifike, pushimet më të kontrolluara dhe vizitat nga të afërmit thuajse të kufizuara.
E gjithë vëmendja që trajneri do t’i japë ekipit është te rivali i radhës, Anglia, një nga skuadrat më të mira në botë dhe më të fortat në Evropë. Epo, shumë lojtarë do duhet të mësohen me jetën e “kazermës” luksoze./K.K