Koha e pajisjes me ID Kartë zbret nga 14 ditë në vetëm 3 ditë, njoftoi Ministria e Brendshme. Risia është lançuar nga IdentiTek, kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve biometrike, duke sjellë një shërbim të ri për qytetarët shqiptarë, përkatësisht e identitetit të shpejtë.
“Falë këtij shërbimi, përmes një pagese prej 3 mijë lekësh, çdo qytetar mund të pajiset me letërnjoftim elektronik brenda 3 ditësh. Shërbimi është krijuar për të lehtësuar dhe përshpejtuar procesin e aplikimit, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë urgjente për dokumentin e tyre të identifikimit.
Procedura e përshpejtuar është veçanërisht e dobishme për emigrantët, të cilët qëndrojnë për pak ditë në Shqipëri, si edhe për të gjithë ata që kanë nevojë të marrin shpejt kartën e tyre të identitetit, qoftë për arsye personale, profesionale apo administrative”, tha Ministria.
Si kryhet aplikimi?
•Blini kuponin (me procedurë të përshpejtuar);
•Merrni me vete dokumentin e vjetër ose vetëdeklarimin e humbjes/vjedhjes nga e-Albania;
•Bëni aplikimin në një nga zyrat e IdentiTek;
•Tërhiqni kartën e re po aty ku keni bërë aplikimin.
Ky shërbim është i aksesueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë, duke përfshirë:
•Ata që pajisen për herë të parë me letërnjoftim elektronik;
•Ata që rinovojnë dokumentin e skaduar;
•Ata që kërkojnë zëvendësim për shkak të skadimit, dëmtimit apo humbjes./ S,M