Kreu demokrat Sali Berisha gjatë një konference për mediat nuk pranoi të bënte publike datën se kur strategu apo këshilltari i fushatës së opozitës për zgjedhjet e 11 majit, Chris LaCivita do të vinte në Shqipëri.
Berisha tha se datën do e kishte surprizë në mënyrë që Edi Rama t’i binte tavolinës me kokë.
Ndërkohë referuar burimeve nga opozita, LaCivita dhe stafi i tij që do të angazhohen në fushatën e koalicionit ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’ do të vijnë një ditë para hapjes zyrtare të fushatës nga ana e Berishës dhe aleatëve të tij.
LaCivita pritet të jetë në Shqipëri më 10 prill, por shumicën e kohës ai do të jetë në kontakt online me Berishën dhe personat e kontaktit të koalicionit opozitar.
Ndërkohë stafi i tij do të qëndrojë në Shqipëri përgjatë fushatës, LaCivita pritet të largohet në datën 17 prill për t’u rikthyer sërish në një moment të dytë.
Referuar burimeve nga opozita, strategu amerikan i fushatës së Berishës do të jetë në mitingun hapës të fushatës, ku është menduar prezantimi i të gjithë kandidatëve të listuar në listën e ‘Shqipëria Madhështore’, sikundër do të paraqiten edhe piketat kryesore të programit të opozitës.
LaCivita ishte një nga personazhet kryesorë në ekipin e Donald Trump që rezultoi fitues në garën presidenciale të 5 nëntorit të 2024 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. i konsideruar si ‘sherifi i ri’ në qytet nga ana e Berishës dhe aktorëve të tjerë opozitarë në Shqipëri, LaCivita ka deklaruar “unë po eksportoj MAGA – Bëje Shqipërinë të Madhe përsëri!”./ S,M