Tregjet globale të aksioneve në mbarë botën kanë rënë dukshëm të hënën, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se tarifat e reja që ai pritet t’i publikojë këtë javë do të prekin “të gjitha vendet”, raporton “The Guardian”.
Aksionet kanë rënë në tregjet e Azi-Paqësorit, në Evropë dhe në SHBA, pasi Trump ka shuar shpresat se “tarifat reciproke” që pritet t’i publikojë të mërkurën do të synonin vetëm vendet me të cilat SHBA-ja ka disbalancë të madh tregtare.
“Do të nisim me të gjitha vendet”, tha Trump.
Tarifat për importet në SHBA do të shpallen të mërkurën, ditë që Trump e ka quajtur “Dita e Çlirimit”.
Në Tokio, indeksi i Nikkeit të Japonisë ka rënë për 4 për qind dhe Kospi i Koresë së Jugut ka rënë për 3 për qind.
Vala e shitjeve përfshiu edhe tregjet evropiane – FTSE 100 në Britani të Madhe ra për 1.3 për qind në nivelin më të ulët në dy javët e fundit, dhe DAX i Gjermanisë dhe CAC i Francës humbën nga 2 për qind.
“Një valë shitjesh po përfshin tregjet globale. Tarifat e vendosura nga qeveria amerikane dhe frika nga njoftimet e reja që nga e mërkura po krijojnë një atmosferë të zymtë”, tha Jochen Stranzl, analist kryesor i tregut në CMC Markets.
Wall Street po ashtu u prek. S&P 500 ra me 1.4 për qind, Nasdaq me 2.4 për qind dhe DoW Jones me 0.8 për qind./ S,M