Deputeti i PD dhe kandidat për Gjirokastrën, Tritan Shehu, ngriti shqetësimin për mungesën e sigurisë ushqimore në vend, duke fajësuar korrupsionin dhe mungesën e kontrolleve efektive.
“Siguria ushqimore është shkatërruar për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë. Ushqimet dhe medikamentet kanë cilësinë më të ulët në Europë, por ndërkohë çmimet janë ndër më të lartat. Salmonela dhe problemet e tjera ushqimore rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve”, deklaroi ai.
Shehu propozoi që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) të kalojë nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë, për të garantuar standarde më të larta dhe kontrolle më të rrepta.
“Sistemi aktual ka dështuar. Korrupsioni ka gërryer institucionet, PS ka hapur rrugën për medikamente të skaduara dhe ka larguar kompanitë serioze farmaceutike. Sot, në shëndetësi vlen vetëm parulla ‘paguaj ose vdis’”, theksoi ai./ S,M