Frika ndaj kancerit, një ankth modern me pasoja arkaike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Sot, më shumë se kurrë, njerëzit jetojnë me një ndjenjë të përhershme ankthi e një pyetje të pashprehur: Kur do të vijë radha ime? Nuk është fjala për armët e shkatërrimit në masë që mund të përdoren nëse nis një Luftë Globale. Është fjala për një armik shumë më të madh se një drejtues shteti që mban gishtin tregues mbi pulsantin e kuq që lëshon raketën bërthamore.

Në labirintin e jetës moderne, kjo fantazmë qëndron mbi të gjithë ne, një diagnozë që pëshpëritet në dhomat e pritjes, me dridhje zëri. Është fjala për kancerin, këtë armik të pamëshirshëm të jetës njerëzore. Dikur një mallkim i rrallë, tani ai hedh hijen e tij mbi miliona jetë njerëzore.

Vërtet jetojmë në një epokë ku teknologjia dhe njohuritë mjekësore po përparojnë me hapa të mëdhenj, por, paradoksalisht edhe frika për jetën tonë po shtohet. Kanceri është shndërruar në një nga sëmundjet më të frikshme të kohëve moderne, duke u bërë një burim i vazhdueshëm ankthi. Për disa, kjo frikë është aq e pranishme sa jeta e tyre shndërrohet në një lojë paranoje, ku çdo simptomë e vogël mund të perceptohet si një paralajmërim i tmerrshëm.

Prej kohësh ka lindur shprehja: Kanceri është bërë si gripi. Por a po e minimizojmë kaq shumë këtë sëmundje, apo thjesht po pranojmë realitetin e masivitetit të saj?

Kjo frikë kolektive përforcohet nga bisedat e përditshme, nga historitë e të njohurve dhe nga informacioni që përhapet me shpejtësi përmes mediave. Çdo rast i ri i diagnostikuar, çdo histori humbjeje nga kjo sëmundje, na bën të ndjejmë se jemi një hap më afër këtij rreziku.

Kanceri është bërë si gripi???

Por a është kanceri një pandemi?

Pyetja mund të marrë përgjigje, sidomos kur njihesh me të dhënat statistikore të cilat thonë se kanceri mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 9.6 milionë njerëz humbin jetën çdo vit si pasojë e kësaj sëmundjeje, duke përfaqësuar afërsisht 13% të të gjitha vdekjeve globale. ​

Në romanin e tij “Dimri i Vetmisë së Madhe”, Ismail Kadare përshkruan vizitën e Xhemal Strugës, shoqëruar nga djali i madh, Besniku, tek onkologu: Vizita po vazhdonte vërtetë gjatë. Besniku qëndroi përsëri përballë gazetës së murit. Rubrika – kanceri nëpër botë. Ç’është nevoja që revistat dhe gazetat e murit të mbushen me kuriozitete të tilla? Gjashtë milion të sëmurë nga kanceri në vit. Ah, lajm i bukur fort për njerëzit. Mund të jetonin edhe pa këtë njohuri kulturale. Besniku ndezi cigaren me nervozizëm”.

Meqenëse romani flet për vitin 1960, kjo do të thotë se asokohe kjo ishte një statistikë botërore, 6 milionë të prekut në vit. Sot kemi rreth 10 milionë të vdekur në vit. Padyshim popullsia është shtuar së tepërmi, por numri i të prekurve shumë më tepër.

Në Shqipëri, sëmundjet tumorale janë shkaktari i dytë i vdekjeve. Në vend të parë vazhdon të jetë mbreti ende i pashkurorëzuar: sëmundjet kardiovaskulare. Këto statistika theksojnë rëndësinë e ndërgjegjësimit, diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit efektiv të kancerit për të reduktuar ndikimin e tij në shëndetin publik.

Lexo edhe :  E gjitha kjo është pak si shumë qesharake (dhe e padrejtë)!

Të paktën të bëjmë atë që kemi në dorë.

Sepse, gjithsesi, shkenca ka bërë përparime të konsiderueshme në luftën kundër kancerit, duke sjellë risi dhe qasje të reja si në diagnostikim ashtu dhe në trajtimin e saj. Këto zhvillime tregojnë se shkenca po përparon në mënyrë të vazhdueshme drejt gjetjes së trajtimeve më efektive dhe, potencialisht, një kure përfundimtare për kancerin.

Por përsëri jemi larg mposhtjes totale. Dhe deri sa të gjendet një kurë përfundimtare, ne të gjithë mbetemi viktima të supozuara të armikut tonë më të madh.

Frika ndaj kancerit buron pjesërisht nga fakti se, pavarësisht përparimeve teknologjike dhe shkencore, ende ka shumë aspekte të tij që nuk i kuptojmë plotësisht dhe nuk mund t’i parandalojmë. Kjo na bën të ndihemi të pafuqishëm përballë diçkaje që mund të na ndodhë në çdo çast. Njerëzit përpiqen të ndjekin një stil jetese të shëndetshëm, të bëjnë kontrolle të rregullta mjekësore, por ankthi nuk largohet plotësisht.

Në njëfarë mënyre, mund të thuhet se po përjetojmë një pandemi të frikës ndaj kancerit, njësoj siç përjetuam pandeminë e COVID-19 disa vite më parë. Industria ushqimore e mbushur me substanca të panjohura, jeta sedentare dhe ndotja e mjedisit kontribuojnë në perceptimin se jemi të ekspozuar ndaj një kërcënimi të vazhdueshëm.

Është kanceri, ky armik i padukshëm.

Dikur, shumë njerëz vdisnin nga kanceri pa e ditur as vetë diagnozën. Ndërgjegjësimi nuk ishte kaq i zhvilluar dhe rastet mbeteshin të padokumentuara. Sot, për shkak të përparimit të mjekësisë dhe diagnostikimit të hershëm, numri i rasteve të njohura është më i lartë, duke krijuar idenë se sëmundja është më e përhapur se më parë.

Jetojmë me frikë. Kanceri është më keq se lufta.

Frika e përhershme për shëndetin ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në produktivitetin, pasionin dhe krijimtarinë tonë. Ankthi na mbush mendjen me pasiguri dhe e bën të vështirë përqendrimin në synimet dhe projektet personale. Kur frika kontrollon jetën tonë, ajo na pengon të shijojmë çastet e lumturisë.

Jeta jonë duket se është kthyer në një proces të pandërprerë testesh, vizitash mjekësore dhe analizash. Dikur, njerëzit shkonin tek mjeku vetëm kur kishin simptoma serioze; sot, kontrollet e vazhdueshme janë bërë pjesë e përditshmërisë. Kjo qasje krijon një paradoks: sa më shumë përpiqemi të garantojmë shëndetin me teste, aq më shumë rritet frika jonë.

Ti del nga vizita diagnostikuese gjithë shënd e verë, sepse mjeku të garanton se je i pastër e asgjë nuk të rrezikon. Por sapo kapërcen pragun, pyetja lind vetvetiu. Çfarë do të ndodhë deri vizitën e ardhshme? A do jem i kërcënuar? Dhe kjo nuk të le të qetë të bësh jetën tënde.

Një përqasje e shëndetshme ndaj kësaj frike është të pranojmë pasigurinë si një pjesë të natyrshme të jetës. Gjithsesi, kujdesi ndaj shëndetit duhet të jetë i ekuilibruar dhe i mençur, pa lejuar që ankthi të na dominojë mendjen. Përqendrimi tek e tashmja, mbajtja e një stili jetese të qëndrueshëm dhe ndërtimi i momenteve me vlerë janë strategjitë më të mira për të përballuar ankthin modern të sëmundjeve.

Të fundit

Përkeqësimi i marrëdhënieve tregtare/ Kina lëshon alarm për turistët që shkojnë në SHBA

Kina ka lëshuar një alarm rreziku për çdo udhëtar që shkon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministria e Kulturës...

Tragjedia në Santo Domingo! Thellohet bilanci, shkon në 98 numri i viktimave

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Santo Domingo, Republikën Domenikane, ku çatia e klubit të natës “Jet Set” u shemb gjatë një koncerti...

Ky është fruti që na ndihmon të kemi dhëmbë më të bardhë

Vizitat tek dentisti duhet të bëhen rregullisht dhe janë thelbësore për një buzëqeshje më të shndritshme dhe më të shndritshme. Por përveç kësaj, ka edhe...

FOTO/ Përplasen katër makina policie në Mbretërinë e Bashkuar, lëndohen shtatë efektivë

Një aksident rrugor ka ndodhur në autostradën A1 pranë Newcastle, në Britaninë e Madhe. Mediat britanike shkruajnë se në aksident janë përshirë të paktën...

Inaugurohet ‘Vila 31 x Art Explora’/ Rama i jep medaljen sipërmarrësit francez

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, morën pjesë në inaugurimin e ‘Vila 31 x Art Explora’ në Tiranë. Gjatë...

Lajme të tjera

Web TV