Ish-kreu i Bashkisë Kavajë, Elvis Rroshi, ka dalë hapur në fushatë krah kushëririt të tij Elton Rroshi, i cili kandidon në listat e hapura në koalicionin e drejtuar nga Sali Berisha. Çfarë ndodhi mes Ramës dhe Rroshit dhe a do të “firojnë” votat e së majtës në këtë bashki?
Elvis Rroshi, kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2011, luajti një rol kyç në kthimin e Bashkisë së Kavajës nga një bastion i Partisë Demokratike në një territor të kontrolluar nga socialistët. Sot, ai është aktiv në mbështetjen e Elton Rroshit, djalit të xhaxhait të tij, i cili garon për Koalicionin “Shqipëria Madhështore”, e drejtuar nga Sali Berisha, por jo si kandidat nga listat e PD-së, por aleates së saj Partisë Agrare Ambientaliste. Vetë Elvis Rroshi ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku u bën thirrje qytetarëve të votojnë për Elton Rroshin. Burime pranë Partisë Socialiste kanë bërë me dije për gazetën “Fjala” se Elvis Rroshi i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të përfshinte Elton Rroshin në listën e Partisë Socialiste, por sipas burimeve, Rama nuk e ka pranuar dhe arsyet nuk dihen. Ka shumë gjasa që ai të mos e ketë futur në listë për shkak të së kaluarës së Elvis Rroshit, i larguar nga kreu i Bashkisë Kavajë nga procesi i demkriminalizimit, pasi rezultoi i dënuar jashtë vendit për disa vepra penale. Gjithashtu së fundmi Rroshi është nën hetim nga SPAK për një tender të dyshimtë sipas institucionit të akuzës, në kohën që ai drejtonte bashkinë e Kavajës, por ende nuk ka akuzë zyrtare për të. Në PS-në lokale të Kavajës, burimeve të së cilës po i referohemi, ngaqë Rama nuk e pranoi kushëririn e tij të përfaqësonte Kavajën në listat e PS-së, Rroshi bën një tjetër lëvizje, duke mos kaluar drejtpërdrejt në Partinë Demokratike, por bashkëpunoi me aleatin e tij, Agron Dukën, i cili e përfshiu në listën e hapur të kandidatëve të koalicionit “Shqipëria Madhështore”. Sipas Partisë Socialiste në Kavajë, Rroshi, përveçse po merr vota nga e djathta në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë Kavajë, Fisnik Qose, po tërheq gjithashtu edhe vota nga socialistët, duke i krijuar Ramës një problem elektoral.
Rroshi, armiku i dikurshëm i Berishës
Kthimi që i bëri Elvis Rroshi Kavajës nga e djathta në të majtë nuk u prit aspak mirë nga lideri historik Sali Berisha, i cili, sa herë i jepej rasti, e sulmonte ashpër. Në vitin 2015, Berisha e akuzoi Rroshin dhe grupin e tij për lidhje me krimin. Më 12 gusht 2015, ai shkruante në Facebook: “Qytetarët denoncojnë me guxim shefin e komisariatit të Kavajës dhe mikun e Ramës, Ervis/Elvis Rroshin dhe bandën e tij, qeveria hesht! Në territorin e komisariatit të Kavajës kanë ndodhur disa nga krimet më të shëmtuara gjatë këtyre dy viteve. Në këtë territor u ekzekutua, thuhet nga kriminelë me uniformë, i burgosuri i përjetshëm Asrit Gjepali pasi ai kishte rrahur në burg Shullazin e Saimir Tahirit. Në atë territor mediat transmetuan keqtrajtimin shtazor të një qytetari nga ‘çunat e krimit’ të Tahirit. Po kështu, gjatë zgjedhjeve, funksionoi gjatë gjithë fushatës, si falangë terrori, një bandë vrasësish e drejtuar nga Rroshi.” Sot, Berisha po e përdor Elvis Rroshin dhe mbështetësit e tij, përfshirë socialistët që ai i ndihmoi gjatë gjashtë viteve si kryetar bashkie, për të rritur mbështetjen e Elton Rroshit. Megjithatë, në situatën e tanishme, Berisha ka shmangur të sulmojë hapur lidhjen familjare mes Elvis dhe Elton Rroshit. Kjo mund të jetë një strategji për të mos larguar votuesit e pakënaqur me PS-në, të cilët mund të ndjekin Elvis Rroshin. Berisha ka justifikuar përzgjedhjen e Elton Rroshit si kandidat për deputet, duke thënë se kushëriri nuk është fajtor për veprimet e ish-kryebashkiakut: “Kushëriri nuk është mëkatar për kushëririn. Si quhet ky kandidati? Elton… Me Elvisin s’ka lidhje gjaku, është gjë tjetër, por kjo nuk është kriter për kandidatët. Edhe Edi Rama ka dy kushërinj, njëri na akuzon ne për rrëmbim pronash dhe tjetrin e bën prefekt për të rrëmbyer prona.” Gjithashtu politikisht Berisha del “i mbrojtur”, pasi emri i Elton Rroshit ka ardhur nga partitë aleate. Pyetja kryesore mbetet nëse Elvis Rroshi ka ende ndikim të mjaftueshëm për të prishur balancat politike në Kavajë dhe për ta kthyer atë në një bastion të djathtë, duke i kaluar votat nga PS te opozita. Megjithatë, mbështetja që ai i jep Eltonit do të jetë një kontribut i rëndësishëm në maksimizimin e votave në zonën e tij elektorale.