Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë me kryediplomaten e BE, Kaja Kallas, e cila ndodhet në Tiranë. Kreu i qeverisë theksoi edhe njëherë ambicien për të mbyllur negociatat për vendin tonë deri në vitin 2027.
Gjatë fjalës së tij mbyllëse, duke iu referuar anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Rama tha se “martesa me BE-në është ajo e duhura për vendin tonë”.
“Na duhet hyrja në BE në radhë të parë për këtë. Që barazia para ligjit të jetë e pakthyeshme. Mos të varet nga asnjë qeveri, por të jetë një normë e panegociueshme dhe e pashkelshme nga askush më.
Nëse jemi duke e përjetuar këtë moment historik, kjo lidhet me vullnetin e kësaj qeverie që udhëheq vendin dhe me mbështetjen e pakufishme të BE-së në këtë aspekt.
E patë në sytë e të ardhmes, unë nuk jam i kënaqur, jam shumë krenar për këtë, sepse ky është një nga ato gur-themel që mund t’i mbulojë llumi i kënetës së politikës së përditshme, por historia i kujton. Nuk jam i kënaqur, por shumë krenar.
Ne, kur kemi nisur këtë rrugëtim kemi qenë në të njëjtat kushte si Iraku, Afganistani, si ca vende të tjera që kanë provuar të bënin demokraci. Ne nuk kemi pasur asnjë lidhje me Estoninë dhe disa vende të tjera të Lindjes, sepse ne kemi qenë Koreja e Veriut e Europës.
Afganistani dhe Iraku nuk e kanë bekimin e lindjes në mes të Europës, ne e kemi.
Kështu që nuk ka diskutojmë që jemi shumë krenar për këtë dhe nuk do pushojmë asnjë sekond deri sa të ulemi në një tryezë me BE-në… si një njeri i dashuruar marrëzisht që i thonë se martesa nuk është gjëja më e bukur që mund të ndodhë, nuk i ndahet dashurisë së vetë deri sa martohet. Dhe si një njeri që mund të flasë për martesën me shumë kompetencë, në fund të ditës nuk ka më mirë se martesa kur është e duhura”, tha Rama./ S.M