Gjykata Rajonale e Bielefeldit ka dënuar me burgim të përjetshëm 34-vjeçarin Huseyin A., për vrasjen e boksierit të njohur, Besar Nimani, ngjarje e ndodhur një vit më parë.
Vendimi u dha të martën, shkruan “Radio Bielefeld”. Megjithatë, aktgjykimi ende nuk është përfundimtar dhe mund të apelohet në Gjykatën Federale në Karlsruhe brenda një jave.
Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për shqiptimin e dënimit maksimal ndaj Huseyin A., i cili ishte arrestuar në korrik të vitit të kaluar.
Sipas gjykatësit, Nimani ishte i pambrojtur në momentin kur u qëllua me gjithsej 15 plumba nga dy persona të armatosur, në një ngjarje tronditëse që ndodhi në qytetin Bielefeld më 9 mars të vitit 2024.
Personi i dytë i dyshuar për vrasje, Aymand Dawoud Kirit, është ende në arrati. Autoritetet kanë lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për kapjen e tij. /E.S