Të paktën 50 hipopotam, buall dhe gjitarë të tjerë të mëdhenj kanë ngordhur nga antraksi në Parkun Kombëtar të famshëm Virunga të Republikës Demokratike të Kongos, me kufomat e tyre që notojnë në një lumë që ushqen një nga liqenet më të mëdhenj të Afrikës.
Mbetet e paqartë se si kafshët u ekspozuan ndaj baktereve që normalisht jetojnë në tokë, tha drejtori i parkut Emmanuel De Meronte për Reuters.
Humbja është megjithatë e madhe, duke pasur parasysh se zyrtarët e parkut po përpiqen të rrisin popullsinë e hipopotamave, e cila dikur i kalonte 20,000 individë. Pas dekadash lufte civile dhe gjueti pa leje, vetëm disa qindra hipopotam mbetën në vitin 2006. Sot, rreth 1200 hipopotam jetojnë në park.
Kafshët e ngordhura filluan të shfaqen pesë ditë më parë në ujërat e lumit Isasa, i cili shënon kufirin kongolez me Ugandën dhe kalon nëpër zona të kontrolluara nga rebelët.
Lumi rrjedh në veri drejt liqenit Edwards, ku vendasit vunë re më shumë kafshë të ngordhura.
“Më shumë se 25 hipopotam të vdekur po notojnë në liqen nga Kagezi në Nyakakoma,” tha Thomas Kabale, një anëtar i komunitetit lokal Nyakakoma.
Instituti i Ruajtjes së Natyrës u bëri thirrje banorëve që të shmangin kontaktin me kafshët dhe të ziejnë ujin përpara se ta konsumojnë.
Bakteri i antraksit, Bacillus anthracis, prodhon toksina të fuqishme që mund të shkaktojnë vdekje. Mund të prekë lëkurën, ku shkakton ulçera të mëdha, ose të shkaktojë gastroenterit të rëndë nëse gëlltitet. Infeksioni është edhe më serioz nëse sporet thithen, dhe vdekja konsiderohet pothuajse e sigurt pa administrimin e antibiotikëve.
Për zyrtarët e parkut, problemi i madh tani është largimi dhe asgjësimi sanitar i kafshëve të ngordhura. Operacioni është i vështirë sepse nuk ka buldozerë, tha Meronte.
Epidemia e antraksit shton problemet me të cilat përballet Parku Kombëtar Virunga për shkak të luftërave civile.
Zona, plot me pyje, vullkane dhe akullnaja, është shtëpia e më shumë llojeve të shpendëve, zvarranikëve dhe gjitarëve se çdo zonë tjetër e mbrojtur në botë./E.T