Një euro e paqëndrueshme nuk i ka penguar as pagesat me shuma të mëdha në këtë valutë.
Transaksionet në euro të kryera për 3 muajt e parë të vitit kanë shënuar vlera të larta. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sistemi ndër bankar i pagesave me vlerë të madhe, AIPS i cili u mundëson si individëve, por edhe bizneseve transfertat dhe pagesat me komisione të ulëta, regjistroi 27 mijë e 948 transaksione vetëm në muajin mars.
Në rritje krahasuar me fillimvitin por dhe të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndonëse janë një indikacion edhe për nivelin e lartë të përdorimit të Euros në transaksionet e brendshme ekonomike, pagesat në euro nga AIPS qëndrojnë të larta edhe në vlerë. Vetëm në 3 muajt e parë arritën në 1.3 mld euro.(grafik)
Një tregues kryesor i rritjes së përdorimit të këtyre pagesave janë edhe blerjet që individët apo bizneset kryejnë në shuma të mëdha, pronat, automjetet, apo dhe lëvizjet ndërmjet bankave. Pavarësisht se për një transfertë prej 100 mijë eurosh bizneset paguajnë më pak se 50 euro komision, ndërsa në pagesat më të vogla se 10 mijë euro komisioni është deri në 6 euro, pasiguritë nga kursi i këmbimit ndër vite i kanë stepur individët dhe bizneset.
Qëllimi kryesor i krijimit të sistemit AIPS Euro është kryerja e pagesave në Euro brenda vendit me kosto më të ulët dhe me një periudhë kohore më të shkurtër. Por në drejtim të modernizimit të sistemeve të pagesave, Banka e Shqipërisë lajmëroi edhe vënien në funksion të skemës së transfertave të kreditit SEPA. Teksa transaksionet e para ndërkufitare SEPA pritet të realizohen në muajin tetor 2025.
NUMRI I TRANSAKSIONEVE
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
JANAR 25.865
SHKURT 27.147
MARS 27.948
VLERA E TRANSAKSIONEVE JANAR-MARS
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
1.3 MLD EURO/k.k