Spitale, restorante, bare, sallone bukurie – çdo gjë që i duhet një personi mund të gjendet brenda një ndërtese të vetme në Kinë. Qianjiang “Regent” përfaqëson ndoshta shembullin më të madh të jetesës kolektive të konceptuar ndonjëherë. Ky kompleks i jashtëzakonshëm ndodhet në zemër të qytetit Hangzhou, një metropol me mbi 11 milionë banorë.
Kompleksi i banimit Regent International Apartment Complex konsiderohet si simboli më domethënës i zhvillimit të vrullshëm urban të promovuar nga shteti kinez gjatë katër dekadave të fundit. Ky rrokaqiell është vendbanimi i rreth 20 mijë personave, disa prej të cilëve, sipas mediave ndërkombëtare, ndoshta nuk kanë arsye të largohen ndonjëherë prej aty. Ndërtesa është menduar për të pasur një profil luksoz, me qëllimin për të tërhequr interes dhe vëmendje, ndonëse ndodhet në një zonë që ka qenë tradicionalisht e varfër në qytetin Hangzhou.
Fillimisht i projektuar si hotel, ky projekt urban u shndërrua më vonë në një rezidencë banimi me mijëra apartamente moderne. Ndërtesa ka formën e shkronjës S dhe mund të akomodojë deri në 30 mijë njerëz. Me një lartësi prej 204 metrash dhe me 36 deri në 39 kate (varësisht nga pjesa e ndërtesës), ajo ofron një gamë të gjerë shërbimesh dhe biznesesh – ashtu si një qytet i vogël brenda qytetit.
Me pak fjalë, gjithçka që mund t’i nevojitet një njeriu ndodhet aty brenda, ndaj për disa, jetesa në këtë pallat qytet mund të jetë e mjaftueshme për të mos e lënë kurrë./e.t