Një grup ndërkombëtar shkencëtarësh ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e neuroshkencës, duke krijuar hartën e parë tredimensionale dhe tejet precize të trurit të një gjitari, konkretisht të një miu, duke përdorur një copëz të vogël të trurit të tij.
Harta përfshin formën, funksionin dhe aktivitetin e mbi 84 mijë neuroneve, më shumë se 200 mijë qelizave të tjera të trurit dhe rreth 500 milionë sinapsave. Ajo që e bën këtë zbulim edhe më mahnitës është fakti se pjesa mikroskopike e analizuar përmbante afërsisht pesë kilometra “kabllo” nervore, duke reflektuar kompleksitetin e jashtëzakonshëm të trurit edhe në përmasa kaq të vogla.
Ky projekt ambicioz është fryt i gati një dekade kërkimesh të përbashkëta nga 150 shkencëtarë në 22 institucione, të udhëhequr nga Instituti Allen për Shkencën e Trurit, Kolegji i Mjekësisë Baylor dhe Universiteti Princeton, në SHBA.
Pamja digjitale e krijuar i lejon shkencëtarët të shohin në detaje se si organizohen pjesë të caktuara të trurit të miut, por gjithashtu ofron njohuri të vlefshme mbi mënyrën se si bashkëpunojnë lloje të ndryshme të qelizave për të funksionuar si një sistem i vetëm.
Megjithatë, kjo hartë përfaqëson vetëm 1/500 e volumit të plotë të trurit të një miu, duke treguar se sa shumë punë ka ende për të bërë për të kuptuar tërësisht këtë organ kompleks.
Rezultatet e këtij studimi janë publikuar në fillim të këtij muaji në revistën shkencore “Nature”, ku shkencëtarët kanë përshkruar me detaje procesin e tyre të ndërlikuar dhe metodat e përdorura për të arritur këtë nivel saktësie. Ky zbulim pritet të hapë rrugë të reja për kuptimin e trurit të njeriut dhe për zhvillimin e terapive të reja neurologjike. /e.t