Shqiptarët “nën armë”, vetëm kur i thërret politika

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Deri në 9 maj, zyrtarisht jemi në fushë e betejën politike. Atë ditë, ndërsa Evropa kujton fundin e Luftës së Dytë Botërore, – kur feldmareshali Vilhelm Keitel nënshkroi kapitullimin pa kushte të Vermahtit gjerman, – ne kemi mbylljen e fushatës. Dhe fundin e fushatës elektorale është një betejë pa bomba, por me shumë zhurmë, këngë, vallë e melodi.

Ne nuk festojmë fitoren mbi fashizmin, por fitoren mbi boshllëkun që mbushim me flamuj, fjalime dhe spote muzikore që të kujtojnë reklamën e ujit të gazuar.

Fushata ka nisur tashmë.

Sheshet e Shqipërisë nuk janë më bosh. Në fakt kurrë nuk kanë qenë bosh kur i ka thirrur politika. Kjo është prova më e mirë që demokracia funksionon: njerëzit vrapojnë me entuziazëm kur dëgjojnë fjalën magjike “fushatë”! Tani, rrugët janë ngjyrë flake – jo nga zjarri i revoltës qytetare, por nga shallet partiakë, xhaketat njëngjyrëshe dhe tullumbacet me logo.

Shqipëria është zgjuar!

Jo për të protestuar për pensionet apo për spitale që funksionojnë me aspirina dhe lutje, por për të duartrokitur një fjalim që fillon me “Të dashur qytetarë…” dhe mbaron me “Ju dua shumë!”. Apo më keq akoma: Zoti e ndihmoftë Shqipërinë.

Demek “në dorë të Zotit”, se për dorën e politikës as që bëhet fjalë.

Ne shqiptarët jemi unikë. Jemi popull me halle, por me prioritet partiake. Protestojmë vetëm kur na thërret partia, sepse nuk kemi kohë për luksin e idealizmit. Shqiptarët nuk protestojnë kur çmimi i bukës rritet. Jo. Ata e hanë bukën me kripë e me zemër, pastaj dalin në shesh për të dëgjuar një fjalim që u shpjegon se pse duhet ta duan më shumë partinë sesa stomakun. Atyre nuk u duhet rritje page, ujë i pijshëm, spitale që funksionojnë apo tavane shkollash që nuk rrëzohen mbi kokat e fëmijëve. Nuk reagojmë kur taksat rriten pa paralajmërim. Na duhet vetëm një podium, një lider që i ngre zërin, pak flamuj dhe një autobus për të mbërritur në kohë në miting.

Kur politika thërret, njeriu shqiptar ngrihet nga karrigia. Jo për të kërkuar dinjitet, por për të tundur flamurin. Sepse këtu nuk votohet për të ardhmen – votohet për të mos mbetur jashtë loje. Nëse nuk je në miting, je askush. Dhe meqë politika ka kthyer gjithçka në spektakël, ne s’mund të mbetemi jashtë kamerës. Çdo qenie shqiptare është aktor potencial në një reality-show: “Zgjedhjet 2025”.

Sepse politika, tek ne, është më shumë se ushqim.

Ndërkohë, politikanët – mjeshtër të dramaturgjisë publike – premtojnë gjithçka për të gjithë. Shkolla me laboratorë, rrugë me palma, punë me paga evropiane ngritje pensionesh. Dhe për të papunët: një thes me miell dhe një fjalim emocionues. Populli e ha këtë si qesim bajamesh në dasmë – me besim, me shpresë, dhe me atë bindje të vjetër kur zhgënjehet që në fillim:  “epo, kështu qe e shkruar”.

-E vërtetë është, na vret Zoti…

Në këtë mënyrë qytetaria është një luks për elitat, ndërsa tifozëria është pasuria kombëtare. Protesta nuk është traditë, është tabu. Sepse për të protestuar duhet të mendosh, të organizohesh, të sakrifikosh. Më mirë një selfie me liderin, se sa një pankartë me kërkesa. Më mirë të bërtasësh “Rroftë partia!” se sa të bësh pyetjen retorike: “Ku është uji i pijshëm?”

-Ujë…?! Po ujë ke sa të duash në pazar. Të ambalazhuar në bidonë gjithfarësh. Nga 0.5 deri në 20 litra. A ke takat t’i ngjisësh nëpër shkallë?

Fushata zgjedhore është sezoni i gjallërimit kombëtar. Rruga do shtrohet! Shkolla do rindërtohet! Puna do gjendet! Dhe turma duartroket, sepse kjo është liturgjia moderne shqiptare.

Fushata ka nisur. Sheshet janë mbushur. Tregjet janë boshatisur, librat janë lënë mënjanë, dhe njerëzit janë kthyer në koreografi njerëzore për kamerat e lajmeve. Politika është artistja më e madhe e këtij vendi – krijon entuziazëm aty ku nuk ka bukë, shpresë aty ku ka beton, dhe besim aty ku ka harresë.

Lexo edhe :  Francezi që zbuloi padashje pse Berisha e urren Shqipërinë

Sepse tek ne, sheshet nuk mbushen kur ikën rinia, kur rritet inflacioni. Ato mbushen vetëm kur një figurë politike i jep sinjalin e nisjes. Dhe ky është triumfi më i madh i demokracisë shqiptare: e kemi kthyer pasivitetin qytetar në një festë popullore.

Ndaj, le të mos merremi me cinizëm. Le të duartrokasim. Se s’na mbetet gjë tjetër – përveçse të jemi spektatorë në shfaqjen e përhershme që quhet Shqipëri.

Edhe kjo e ka një shpjegim: Sepse shqiptari është një qenie politike… por ndoshta jo aq qytetare. Jo se nuk ka halle. Përkundrazi! Ka halle sa për të mbushur një parlament me problematika. Por kur vjen puna për të protestuar për hallet, pllakos heshtja. Një heshtje solemne. Një heshtje që do t’ia kishte zili edhe biblioteka kombëtare.

Pse? Sepse shqiptari është mësuar ta duroje shtypjen, jo ta sfidojë atë. Është rritur me idenë se “kështu e ka jeta”. Dhe përballë kësaj trashëgimie, qytetaria kthehet në një luks intelektual. Protesta? Jo, jo… protesta është për idealistët e për “të marrët”.

Politika shqiptare të jep gjithçka: një flamur për t’u tundur, transport falas për në miting me një autobus ku ngjishen të gjithë militantët, një sanduiç me djathë për të mbajtur shpirtin gjallë, një flamur për të valëvitur, një bidon ujë në dorë, dhe me raste dhe një drekë me mish pule bashkë me salmonelën brenda. Por mbi të gjitha, një armik për t’u sharë. Kush e ka fajin për gjithë të këqijat? Tjetri! Ai që nuk është “i yni”! Kështu, ndërsa buka bëhet më e shtrenjtë se telefoni, njerëzit ngrenë dy gishta për fitoren që do të vijë. Ndoshta. Ndonjëherë. Ose kurrë.

Dhe mbi të gjitha, është politika ajo që të liron nga barra e të menduarit duke të thënë: “Mos u lodh të mendosh për problemet e tua, ne i kemi gjetur fajtorët, janë gati për në burg.”

Politika flet gjuhën që shqiptari njeh më mirë: gjuhën e tifozërisë. Nuk është më një çështje ideje apo lirie, por një çështje “kush do fitojë”. Dhe si në një ndeshje futbolli, nuk ka rëndësi si luhet – mjafton të jesh në tribunë, të bërtasësh dhe të ndihesh pjesë e lojës. Politika di t’i japë popullit një spektakël. Një shpresë të vogël se “nesër, kur të vijmë ne, do të jetë më mirë”. E kjo shpresë, e ricikluar çdo katër vjet, është opiumi i ri.

Ndërsa në vend që të revoltohemi për atë që nuk kemi, ne entuziazmohemi për atë që na premtuan. Sepse në fund të fundit, jeta është më e lehtë kur të premtojnë, sesa kur të kërkojnë të mendosh.

Protesta sociale kërkon reflektim, solidaritet, organizim. Kërkon kohë dhe sakrificë, pa garanci suksesi. Kërkon që njerëzit të bashkohen jo për një fytyrë politike, por për një kauzë që nuk ka sponsor. Kërkon të duash dikë tjetër përveç vetes. Dhe kjo, për një shoqëri që është rritur me idenë “shpëto veten në këtë katrahurë”, është thuajse mision i pamundur.

Sepse në Shqipëri, më e thjeshtë është të marshosh për partinë, sesa për jetën tënde.

Dhe kështu, ndërsa rritet çmimi i vajit, i bukës, i qirasë, i ilaçeve – populli hesht. Por nëse dikush thotë: “Ne po rrëzojmë këta të tjerët!” – sheshet mbushen.

Sepse më e thjeshtë është të marshosh për partinë, sesa të marshosh për jetën tënde.

Të fundit

Spiuni i harruar britanik i cili u infiltrua në rrethin e ngushtë të Hitlerit

Familja von der Ropp mbart një lloj të veçantë të mitologjisë. Si banorë gjermanë të shteteve baltike, kjo familje...

Bashkimi Evropian paralajmëron gjigantët e teknologjisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar kompanitë e mëdha të teknologjisë, duke përfshirë X, Meta, Apple dhe TikTok, se Bashkimi...

U përfol për një romancë me Ledrin/ Xhensila sqaron marrëdhënien me reperin

Prej disa javësh, rrjetet sociale dhe portalet janë përfshirë nga thashethemet rreth një romance të mundshme mes dy artistëve të njohur shqiptarë, Ledri Vula dhe...

Studimi/ Femrat kanë dëgjim më të mprehtë se meshkujt

Përshtypja se femrat shpesh kanë dëgjim më të mprehtë se meshkujt, jo vetëm që mund të duket e vërtetë për disa, por ka prova...

Prezantohet Renault Embleme, makina që emeton deri në 90% më pak gazra serë

Renault vazhdon të kryejë misionin e tij mjedisor me modelin Emblème, një automjet koncept inovativ që emeton deri në 90% më pak gazra serë...

Lajme të tjera

Web TV