Roven Zeka, shefi i qarkullimit të Policisë Rrugore Tiranë dhe dy vartësit e tij, dyshohet se morën rreth 2 mijë Euro rryshfet, për të favorizuar një drejtuese automjeti të përfshirë në një aksident.
Ndonëse SPAK nuk ka dalë me një njoftim zyrtarë, lidhur me 3 urdhër arrestet e lëshuara ndaj shefit të qarkullimit, Roven Zeka, shefit të oficerëve të policisë gjyqësore, Sokol Novaku si dhe oficerit, Edison Tabaku, burime bëjnë me dije se ata akuzohen për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim.
Sipas të dhënave 3 zyrtarët e policisë rrugore Tiranë, përmes ryshfetit kanë lehtësuar pozitat e një qytetareje të përfshirë në një aksident ku të plagosur kanë mbetur 2 persona. Por pavarësisht këtij fakti, shoferja është proceduar në gjendje të lirë.
Për rastin në fjalë burime bëjnë me dije se janë administruar dhe përgjime, të cilat do i paraqiten gjykatës në momentin që SPAK do i drejtohet me kërkesën për masë sigurie, duke qenë se arrestimi i 3 zyrtarëve është bërë me urdhra ndalimi nga prokuroria e posaçme.
Pavarësisht dyshimeve të SPAK, vetë Roven Zeka dhe dy vartësit e tij kanë mohuar akuzat pas arrestimit, duke pretenduar se kane zbatuar procedurat standarde./E.S