“Fuqitë e lanë te porta e…”/ Historia tragjike e mikut personal të Zogut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhëtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Shkodra në vitet e para nën komunizëm

Dy muej të kaluem me terror të egër komunist, kishin mjaftue që kohët të kishin nisë me ndryshue për të keq, aq sa edhe tempujt e hershëm, hera-herë, të kishin fillue me u braktisë e Sylço begu, për vendimin që kishte marrë, ishte rrezik të vdiste në rrugë të madhe. Kështu ai, prej dyshimit se mos ishte hetue prej spiunësh e për t’mos i sjellë pasoja shtëpisë ku u ndodhte, nji natë të ftoftë dimni vendosi me dalë prej saj e, me marrë drejtimin, jo ma për të ndonji strehë kushrini a miku, ku ai të zgjaste ditët e fundit të jetës së tij tashmë të tepërt, por për të rrënojat e panjeri të ish-Shtëpisë së vëllaut të tij ma të vogël, Sheuqet begut, ku ma nuk shkelte kambë njeriu e prej ku ai s’do të lente pasoja për askënd mbi dhe.

 

 

U nis pra, që të vdiste urijet e ndoshta ma fort të ftoftit, brenda gërmadhave të ish-shtëpisë vëllaut të tij, të rënueme dy muaj ma parë prej shpërthimit të municionit, atje në livadhin me emnin e tij. Ky akt i fundit i Sylço begut, duhet të ishte ma dinjitozi, ma njerëzori e ma madhështori që ai do të zgjidhte, për të mbyllë me ndere nji jetë tashma të kërcënueme seriozisht, me u poshtnue prej komunistëve bastardë e kriminelë.

Largësia prej tre-katërqind metrash që atë e ndante nga vendi ku ai kishte mendue me krye “herakirin” e tij, i kapërcente disa herë mundësitë e tij fizike. Megjithatë ai, si t’ishte nji personazh mitesh, nisi t’ecte i vetëm nëpër rrugën e pa njeri, e të çante më shumë mundim errsinën e natës e, veriun e ftoftë që kishte ngri gjithçka. Kështu ai, si këputi rrugën kryesore të “Parrucës” e u fut n’atë të “Bajës së Vogël”, forcat e fundit nisën ta lëshojnë e mbas jo ma shumë se nja njiqind metrash që kishte ba, ai do të kërkonte me mësye derën ma të parë që t’i dilte para. Për fatin e tij të keq, ajo derë së cilës ai po i besonte fundin e tij, kishte pasë brenda ligësinë, me që kishte qëllue e nji shtëpie komunistësh, që Sylço begun, “nuk e ndërrojshin për mish dashit”!

E zoja e shtëpisë, nanë e komunistit proletar, Ramiz Mustafa dhe e dy motrave të tij, po komuniste, kishte dalë në atë orë të vonë të natës, për t’i vu rezen derës së oborrit, mbas së cilës ajo, si me dyshim, kishte dallue nji si hije. Prej kureshtjes, ajo kishte nxjerrë kryet përjashta e kur kishte vërejt e njohë Sylço begun e ngrimë krejt prej të ftohtit, prej çudisë, ajo kishte nxjerrë fjalët “Po ti këtu Sylço beg”?! dhe menjiherë kishte fluturue për të lajmue Forcat e Mbrojtjes Popullore, të cilat kur kishin mbrrijtë aty, Sylço begun e kishin gjetë me gisht në nagant, por pa muejtë me e shkrehë, si i ngrimë krejt që ishte prej të ftohtit.

Naganti me siglën e tij “A Zog”, në duart e Sylço begut, për kushtet e motit e të gjendjes fizike të tij, kishte qenë gjaja ma e tepërt e ma e kotë në duart e tij të ngrime si dru. Partizanët e arrestuan atë ma me lehtësi, se të ishin tue arrestue nji fëmijë. Nuk desh fati që kapja e tij të kishte vonue edhe fare pak kohë, që ai të vdiste prej të ftohtit e, t’u treste si nji frymë, që s’do t’u kapte kurrë ma. Por jo, ishte thanë që edhe ai t’mos vdiste, pa pasë kalue ma parë nëpër duar të komunistëve.

Kishin pasë ose jo miqësi, me Sylço begun, apo edhe të njohun, qytetarë të ndryshëm shkodranë, për faktin se ai u ndodhte në duart e atyne partizanëve, që do ditë e ma tepër po e çnjerëzojshin e vritshin pa mëshirë çdo kundërshtar të tyne, do të bante që ai t’iu dhimbte të gjithëve. Unë, mbasi pata ndigjue përjashta lajmin e kapjes së Sylço begut, u ktheva shpejt në shtëpi dhe kur u futa në kuzhinë, tim atë e gjeta të ulun në vendin e tij të zakonshëm, mbi nji post të trashe lëkurë dashi, që po u ngrohte pranë votrës, me para nji zjarr të madh drushë.

Kur unë i thashë: “Babë, kishin zanë Sylço begun”, ai përnjëherë u zverdh në fytyrë dhe uli kryet tue e tundë e folë: “Po mbaron ky vend”, Po mbaron ky vend”! Ndërkohë që unë, nana dhe nji motër që u ndodh aty, do të shikojshim me çudi e për herë të parë në jetën tonë, se si nëpër faqe të tij, po rrëshqitshin me ngadalë dy-tre lot të mëdhenj.

Në fillim Sylço begun e Dom Lazër Shantojën, i kishin mbajt për ndonji ditë në Shkodër e pikërisht në shtëpinë e doktor Karamitrit, ku ma s’parit ishte vendosë komanda e Mbrojtjes Popullore, e shumë shpejt mbrapa i kishin nisë për Tiranë. Atje në burgun e Tiranës, nji herë gabimisht do t’i përziejshin me të burgosun të tjerë. Për këtë rast, Fejzi Alizoti, që vazhdimisht në të kaluemen kishte qenë ministër, do t’i fliste kështu të nipit të tij, Myfit Bushatit, kur nji ditë edhe ky t’u gjindte në nji dhomë burgu në Tiranë:

“Kur e pashë Sylço beun që e futën në kaushën tonë, si mik që e kisha prej qëkur, i dola para dhe e mora pranë vetes. E pyeta pastaj nëse kishte vuajtur gjatë atyre ditëve dhe ay më tha se nji partizan i kishte rënë me shpullë, që i ju dukte se e vuante si një poshtërim që i ishte bërë. Pastaj e pyeta nëse zotëria e tij dëshironte ndonjë gjë, dhe ay m’u përgjigj prerë: Nji kafe”!

Sylço begun bashkë me Dom Lazrin, i pushkatuen me 21 shkurt 1945!

Nji i burgosun me mbiemnin Bushati, që prej vitesh banonte në Tiranë, i dënuem vetëm me disa muaj burg për faje ordinere, e të cilin drejtoria e atij burgu e përdorte në ndihmë të policëve, lidhun me lëvizjen e ushqimeve e plaçkave të të burgosurve, nji ditë do t’i tregonte Myfitit: “Kur Sylço begut dhe Dom Lazrit u thanë gë t’u bajshin gati se do t’i çojshin me i pushkatue, Sylço begu u kërkoi që ta lejojshin për me marrë abdes e me u falë, gja që ata ia lejuen.

Mbrapa, kur Sylço begu po u çonte prej s’falunit, ende pa u afrue mirë, i thirri Dom Lazrit – për të cilin qe folë se e kishin torturue shumë – me njisoj buzëqeshjet: T’bahna gati, Dom Lazër, se nji herë kena le e, nji herë kena me dekë! Tue vazhdue t’i fliste Myfitit ai njeri për axhën e tij, do të shtonte se; ‘Sylço begu ishte aq i qetë para vdekjes, sa si të ishte tue shkue me ndrrue vend dhe jo me u pushkatue”!

Dhe pa asnji dyshim, që ashtu duhet të kishte qenë, qoftë për edukatën me të cilën ai qe mbrujtë e rritë, ashtu edhe prej besimit të thellë fetar qe kishte, se edhe fati i tij, si për çdo njeri, ishte i paracaktuem prej Zotit, si edhe sepse ai deri atherë, e kishte kuptue se ajo kohë e tij kishte prendue e se çdo ditë ma tepër jetë, do t’ishte nji barrë që ma s’mund ta mbante kurrsesi.

Më 30 janar, ishin arrestue vëllaznit, Qazim, Sheuki e Shyqyri Bushati, si edhe kushrini tyne e nip i Sylço begut, Myfit Myrto Bushati. Sis dihet, Sylço begun bashkë me Dom Lazër Shantojën, i kishin pasë nisë shumë shpejt për Tiranë, ndërkohë gë të katër Bushatlijtë e masipërm, i kishin pasë nxjerrë para nji gjygji partizan, me kryetar nënkolonel Esat Ndreun. Gjykimi kishte qenë i shpejtë e formal dhe dënimet e dhanuna, nuk u ishin ba të njohun, siç duket me qëllim që ata vendime t’u shifshin edhe prej ndonji eprori ushtarak të tyne.

Sikurse do t’u mësonte ma vonë, Qazim Bushati, me qëllim që të shpëtonte vëllaznit e tij, në gjyqë kishte marrë gjithçka mbi vetë e, për pasojë, ishte dënue me vdekje, ndërsa tre Bushatlitë e tjerë, me nga tridhjetë vjet sejcili, vendime që do t’u publikojshin në shtyp, edhe pse pa u pasë kenë komunikue vetë të dënuemve.

Vlen të tregohet se në mbramjen e ditës kur ishte zhvillue gjyqi i masipërm, kishin qenë mbledhë në Bashki, – si mbas pohimit të Cuf Lohës, kryetar i rendit për Shkodrën atherë – Mehmet Shehu, që në atë kohë drejtonte në Shkodër operacionet ndëshkimore, Zija Dibra, si sekretar partie që ishte, Cuf Lohja dhe Esat Ndreu, që i kishte gjykue e dënue ata Bushatlij.

Si mbas Cuf Lohes, Zija Dibra që me Myfit Bushatin u njihte prej kohësh e që gjatë Luftës, kur kishte qenë ilegal, në shtëpinë e tij kishte gjetë strehë e pritë me ngrohtësi, por që megjithatë, në këtë rast, i ishte pasë drejtue Mehmet Shehut, tue i thanë: “Jam i mendimit që dënimi i Myfit Bushatit prej tridhet vjetësh, të kthehet në dënim me vdekje, si nip i Sylço begut që asht edhe si ballist që ka qenë”.

Mehmet Shehu kishte ra në mendim për pak çaste dhe gjithji si mbas Cuf Lohes, nuk u dinte çfarë do të nxirrte nga goja, po t’mos ndërhynte ky i fundit, që t’i fliste: “Myfit Bushati asht djal i ri njizetepesë vjeç, i rritun jetim e vetëm me nji nanë, e që nuk i ka ba askujt ndonji të keqe”. Mbas këtyne fjalëve të Cuf Lohes, Mehmet Shehu nuk e kishte zgjatë ma, e tue i ra për shkurt, kishte thanë: “Mirë, mirë, me vdekje njerin, prej tyre”!

Zija Dibra, nji ndër komunistët ma të parë të Shkodrës e nji ndër udhëheqësit kryesor të Luftës në qarkun e Shkodrës, do të shkonte nji jetë me burgje e internime dhe aq shumë do të kishte qenë i luftuem, sa edhe kur të vdiste nji ditë në katundin Gur i Zi, ku kishte qenë i internuem vitet e fundit, Komiteti i Partisë Shkodër, nuk do t’i lejonte as edhe të drejtën e nji vorri në qytetin e tij, për t’u varrosë atje në Gur të Zi, i përcjellun prej vetëm shtatë-tetë njerëzve të tij ma të afërm, me në krye të shogen besnike, Biseren prej Sarajevet e cila, tue mos pasë marrë anjiherë parasysh presionet e vazhdueshme që i ishin ba prej Sigurimit, për t’u shkëputë prej tij, ajo do të vazhdonte të ndante pa lëkundje fatin me të. E s’kishin pasë as fëmijë.

Për kureshtje të lexuesit, tregojmë se edhe vetë Esat Ndreu, do t’u dënonte nji ditë me burgim të përjetshëm nga Enver Hoxha. Qazim Bushati do të mësonte se kishte qenë dënue me vdekje, vetëm kur të shkojshin me e marrë për ta pushkatue: nji natë, ndërsa ai flinte në nji dhomë të madhe burgu, bashkë me të burgosun të tjerë, nji oficer prej Kurveleshit, me emnin Demo Labi, mbasi ishte sigurue se cili ishte Qazimi, i ishte afrue e tue e zgjue prej gjumit, i kishte pas thanë: “Vishu se do të pushkatohesh”! Ishin zgjue me atë rast edhe të burgosun të tjerë, mes të cilëve edhe ish-arsimtari Hamdi Bushati, të cilët do të tregojshin, se si Qazimi nuk kishte qenë ligështue aspak e, se kur ai po u vishte, i ishte drejtue me qetësi atij oficeri që ishte komandant i nji kompanie të Mbrojtjes Popullore, tue i pasë kërkue që ta lejonte me “marrë avdes” e “me u falë” para se ta pushkatojshin, gja që ai oficer ia kishte lejue menjiherë.

Qëndrimi burrnor i Qazim Bushatit para vdekjes, i kishte ba përshtypje shqiptarit prej Kurveleshit, Demo Labi, kështu që të nesërmen, ai ishte futë mbrenda burgut tue pyetë se ku u ndodhshin ata tre Bushatlijtë e tjerë. Mbasi i kishte gjetë, i kishte ngushllue nji për nji për vdekjen e Qazimit e, në fund u kishte thanë: “Të jini krenarë për Qazimin! Kishte qenë trim i trimave! S’i luajti syu as kur e morëm për ta pushkatuar dhe as kur e vumë para pushkatimit”!

Kosova dhe qëndrimi tradhtar i komunistëve shqiptarë ndaj saj!

I bamë vend edhe nji kapitulli të tillë, jo për fijet e shumta që historikisht e kishin lidhë Kosovën me Shkodër e, as si bija të nji nane që ishin, por vetëm për dy momente brenda periudhës që po trajtojmë: e para, se me Shkodrën mbetën të lidhun shumë emna studentësh të mrekullueshëm kosovarë, të cilët përgjithësisht do të merrshin pjesë në luftë e, disa prej tyne do të ishin edhe kuadro drejtues të saj atje në Kosovë, por që për rrezikun që ata do të paraqitshin mbas mbarimit të luftës, lidhun me vendimin e “Avnoit”, si mbas të cilit Jugosllavia duhet të mbetej federative, pra që edhe Kosova t’mos bashkohej me Shqipni, disa prej tyne, me metodën e vrasjes mbas shpine, do t’u eleminojshin njeni mbas tjetrit, përgjithësisht me tradhtinë e ish- shokëve të tyne serbe.

Së dyti, i bamë vend nji shkrimi të tillë, edhe se nëpër rrugët e qytetit tonë, në pranverën e 1945-ës, patën kalue ata dymijë e pesëqind kosovarë, që me atë rast do të masakroheshin në Tivar. Kosova, sikurse dihet, mbetet për jetë nji at-akuzë për komunistët shqiptarë, për qëndrimin e tyne të papërgjegjshëm e tradhtar që ata mbajtën ndaj saj, kur u dinte që Kosova prej disa dekadash, ishte problemi ma madhor i çështjes tonë kombëtare e njiherit, edhe dhimbja ma e thellë e nji populli të ndamë dyshë me forcë.

Sikurse dihet, qysh gjatë periudhës së luftës jugosllavët; përmes emisarëve të tyne, si; Dushan Mugosha, Miladin Popoviç, Svetozar Vukmanovic Tempo etj., do të ishin ata që prej mbrapa-skene, të mbajshin frenat e drejtimit të Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Shqipnisë. Do të ishin ata që do të prisheshin bashkimin e porsa arrijtun të shqiptarëve në Mukje, e përsëri ata që të frymëzojshin me djallzi e autoritet luftën vëllavrasëse mes shqiptarëve. Si rezultat i kësaj politike të pranueme e të ndjekun qysh gjatë luftës, prej komunistëve të papërgjegjshëm shqiptarë, Shqipnia për ma shumë se tre vjet mbas luftet, do të kthehej në provincë të Jugosllavisë.

“Shqipnine-nuse e, Titon-dhandërr”, do të këndonte në atë kohë poeti popullor (sic!)

Shtypi, radiot, mbledhje e mitingje që në ato kohë u mbajshin me shumicë, si dhe parullat e stamposuna vend për vend, do të reklamojshin me bujë të madhe “lidhjen pa interes e vëllaznore” të Jugosllavisë me Shqipni, si edhe “kujdesin atnor” të vete Marshallit Tito, për popullin tonë komunistët shqiptarë, nga idealistë që kishin qenë në fillimet e aktivitetit të tyne e, gjatë periudhës ma të madhe të Luftës, mbrapa qenë prishë e çoroditë, aq sa kishin braktisë pa keqardhë e brëmje ndërgjegjet, çdo ëndërr e fisnikni që mund të kishin pasë, e katandisë kështu njiherë e përgjithmonë në konformistë, ndaj do politike që do t’i u servirej nga udhëheqja e tyne, sido që të ishte ajo, antikombëtare e antipopullore.

Duhet të jetë unikale në histori tradhtia që komunistët shqiptarë i banë Kosovës, unikale gjithashtu fyemja dhe tallja që Jugosllavia, me ndihmën e partizanëve shqiptarë, i pat ba Kosovës dhe ne. Jugosllavia, pavarësisht pakteve të nënëshkrueme nga aleatët gjatë Luftës e deklaratave të shumta që ata patën lëshue, lidhun me të drejtën e popujve për vetëvendosje, do të vazhdonte ta mbante nën zgjedhë Kosovën, e për ma tepër, do të ushtronte mbi të gjenocid të vërtetë. Madje, kur ajo t’mos mund ta mposhte me armë rezistencën e bijve trima të Kosovës, do ta thyente atë me tradhtinë e partizaneve shqiptarë, të dërguem atje nga Enver Hoxha. Rezistenca heroike e Drenicës, e lidhun me emnin e legjendarit Shaban Polluzha e, çarmatosja e saj me mashtrim nga ana e vëllazënve të tyne të dërguem nga Shqipria amë, flet e do të vazhdojë të flasë përgjithnji.

E gjithë drama kosovare do të lidhej s’përgjigjeshin për asgja, me emnin e Enver Hoxhës e të lakejve komunistë që ma s’mendoheshin e kosovarët e kohës së mbretnisë serbe, kishin pasë rast që ndër zgjedhje legjislative, votat t’i a jepshin Partisë Komuniste, me që ajo, qysh në mbledhjen e Drezden-it të 1921-it, kishte vendosë që në rast fitore, të njihte të drejtën e çdo kombësie për shkëputje prej Jugosllavisë. Edhe gjatë Luftës, partizanët kosovarë, bashkimin e Kosovës me Shqipni, do ta kishin armën ma të fortë të propagandës së tyne në popull.

Po ashtu, edhe mbledhja e Bujanit-31 dhjetor 1943 – 3 janar 1944-, do të konfirmonte me rezolute sa ma sipër, megjithëse katër serbët e pranishëm në atë mbledhje, – nisë nga fryma dhe direktivat e asaj të Avnoit, mbajtë vetëm nji muaj ma parë, e pikërisht më 29 nandor 1943, në Jajvce të Bosnjes e nën kryesine e Titos, që kishte vendosë për nji Jugosllavi Federative e pa të drejtë shkëputjeje kombësish – e kundërshtuen, me ç’rast Hajdar Dushi, nji prej katër hartuesve të rezolutës, do t’iu përgjigjte energjikisht: “Ne se ju nuk do ta nënshkrueni rezolutën, kufinin që ndanë Shqipninë me Jugosllavi, do ta vendosim pa ju”.

Ishte pra kjo mbledhje e Avnoit dhe Enver Hoxha, e jo ma disa shtete europiane si dikur, që Kosovën e kthyen për herë të dytë nën skllavërinë serbe, e gjithashtu, do të ishte ajo datë e 29 nandorit të saj, si dhe fakte madhorë me randësi historike që na ndjekin si “mollë sherri” e që na ndajnë, ne që po kërkojmë të vejmë në vendin e tyne të merituem ngjarje e njerëz, dhe atyne që për fat të keq edhe sot vazhdojnë t’i interpretojnë ato fakte si mbas politikave servile të Enver Hoxhës, ndaj Partisë Komuniste të Jugosllavisë e vetë personit Tito. / Memorie.al

Të fundit

Spiuni i harruar britanik i cili u infiltrua në rrethin e ngushtë të Hitlerit

Familja von der Ropp mbart një lloj të veçantë të mitologjisë. Si banorë gjermanë të shteteve baltike, kjo familje...

Bashkimi Evropian paralajmëron gjigantët e teknologjisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar kompanitë e mëdha të teknologjisë, duke përfshirë X, Meta, Apple dhe TikTok, se Bashkimi...

U përfol për një romancë me Ledrin/ Xhensila sqaron marrëdhënien me reperin

Prej disa javësh, rrjetet sociale dhe portalet janë përfshirë nga thashethemet rreth një romance të mundshme mes dy artistëve të njohur shqiptarë, Ledri Vula dhe...

Studimi/ Femrat kanë dëgjim më të mprehtë se meshkujt

Përshtypja se femrat shpesh kanë dëgjim më të mprehtë se meshkujt, jo vetëm që mund të duket e vërtetë për disa, por ka prova...

Prezantohet Renault Embleme, makina që emeton deri në 90% më pak gazra serë

Renault vazhdon të kryejë misionin e tij mjedisor me modelin Emblème, një automjet koncept inovativ që emeton deri në 90% më pak gazra serë...

Lajme të tjera

Web TV