UEFA po mendon për tre ndryshime rrënjësore në këtë kompeticion. Shtëpia e futbollit europian aktualisht po mbledh opinione nga klubet në lidhje me formatin e ri.
Komiteti i Garave të Klubeve, i cili përfshin drejtorin menaxhues të Bayer Leverkusen, Fernando Carro, do të takohet më 30 maj në Mynih për të diskutuar ndryshimet e mundshme dhe për t’i propozuar rekomandime komitetit ekzekutiv të UEFA-s, të udhëhequr nga drejtori i Borussia Dortmund, Hans-Joachim Watzke.
Revista gjermane SPORT BILD tregon disa ndryshime të rëndësishme që janë duke u konsideruar. Një nga ndryshimet e propozuara është heqja e shtesës prej 30 minutash në raundet me eliminim direkt dhe në vend të kësaj të vendoset fituesi direkt me penallti nëse rezultati pas 90 minutave është i barabartë. Ky ndryshim synon të reduktojë lodhjen e lojtarëve.
Një tjetër sugjerim është për shpërblimin e klubeve që përfundojnë në tetëshen më të mirë të fazës së ligës me avantazhin si vendas për ndeshjet e kthimit në çerekfinale dhe gjysmëfinale.
Një ndryshim i tretë i propozuar është rivendosja e rregullit të “mbrojtjes së vendit”, i cili do të parandalonte klubet nga i njëjti shtet të përballeshin në fazat e eliminimit para çerekfinales. m.p.