Ka nisur tashmë puna për organizimin e festivalit “Sunny Hill” Festival. Në faqen zyrtare të këtij festivali që organizohet nga Dua Lipa dhe familja e saj janë bërë tashmë publike edhe datat. Edicioni i sivjetshëm, do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht në Bërnicë të Epërme, Prishtinë.
Organizatorët tashmë kanë nisur me shitjen e biletave, ndërsa emrat e artistëve që do të performojnë në të dy skenat do të bëhen publik shumë shpejt. Renditur nga Shoqata Evropiane e Festivaleve në mesin e 10 festivaleve më të mira në Evropë, “Sunny Hill” po përgatitet për tri ditë të paharrueshme muzike, argëtim dhe energji pozitive. Me çdo edicion, festivali po e forcon pozitën e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon dhe më gjerë.
“Këtë vit kemi përgatitur një program të jashtëzakonshëm me artistë ndërkombëtarë dhe vendorë, që do ta bëjnë Prishtinën destinacionin kryesor të verës. Numërimi ka filluar – shihemi në “Sunny Hill Festival” më 1, 2 dhe 3 gusht!”, thuhet në njoftimin zyrtar të festivalit.
Por ajo që bie në sy këtë vit, ishte ulja e çmimit të biletave. Nëse të gjithë e kujtojmë, vitin e shkuar, pas 3 ditëve të festivalit, të shumtë ishin ata që ankoheshin për shtrenjtimin e çmimeve. Kështu, një biletë varionte nga 160 deri në 200 euro, për vendet më afër skenës.
Ndërkohë, që këtë vit, çmimi zyrtar i biletës do të jetë 95 euro. Mediat kosovare bëjnë më dije, se organizatorët do të kushtojnë një vëmendje të madhe edhe për transportin, duke qenë se vitin e shkuar pati shumë probleme në këtë sektor. Ndryshe nga vitet e shkuara, këtë herë pritet që në skenë të ngjiten emra edhe më të mëdhenj e më të rëndësishëm të skenave botërore. Kujtojmë që pas edicionit të fundit, të zhgënjyer kishte edhe për kastën e artistëve që ishin përzgjedhur.
Ndaj edhe këtë herë, duket se stafi duket më i përkujdesur për të rritur cilësinë e këtij festivali. E teksa përgatitjet vijojnë, të gjithë janë sy e vesh për të pritur ngjitjen në skenë të Dua Lipës, e cila jo vetëm interpreton në skenë, por shijon mbrëmjen edhe si publik, duke kërcyer mes miqve të saj./E.S