Ndërsa birësimet po ulen, kërkesa për surrogaci po rritet në botë. Megjithatë, praktika është sulmuar nga konservatorët fetarë dhe disa feministë, shkruan The Economist
Kur Shakir Muhamed dhe partneri i tij donin të krijonin një familje në Londër, ata kërkuan të adoptonin një fëmijë. Por, për shkak të procesit të mundimshëm dhe kohës së gjatë të pritjes, ata vendosën të ndiqnin rrugën e surrogacisë.
Vitin e kaluar, lindi djali i tyre Nico nga një grua në Amerikë, e cila pranoi të lindte fëmijën e tyre për një tarifë, dhe e cila ende qëndron në kontakt me ta.
Vepra të tilla mirësie duhet të festohen, sepse u japin fëmijë familjeve që, për arsye të ndryshme, nuk mund ta bëjnë këtë vetë. Në mbarë botën, ndodhin rreth 30,000 lindje surrogate në vit.
Megjithatë, në vend që të festohet botërisht, surrogacia po kundërshtohet gjithnjë e më tepër nga konservatorët fetarë, të cilët e shohin atë si një shkelje të rendit natyror, po ashtu edhe nga disa feministë, të cilët shqetësohen se ajo shfrytëzon gratë, veçanërisht kur ato paguhen për të qenë nëna surrogate.
Në tetor, Italia, e cila e ka ndaluar surrogacinë që nga viti 2004, vendosi kufizimet më të ashpra në botë për këtë praktikë, duke e shpallur atë një “krim të përbotshëm”.
Ky term “e vendos surrogacinë në një nivel me gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit”, vuri në dukje Dafni Lima nga shkolla juridike e Universitetit Durham. Ligji nuk lejon që italianët të kenë foshnja surrogate jashtë shtetit, madje edhe në vendet ku surrogacia është e ligjshme.
Shkelja dënohet me deri në dy vjet burg dhe një gjobë deri në 1 milion euro (1.04 milion dollarë).
Në dhjetor, Gjykata e Lartë në Spanjë, e cila gjithashtu e ndalon surrogacinë, vendosi të mos e lejonte praktikën jashtë vendit, duke argumentuar se ajo “shkel integritetin moral të gruas shtatzënë dhe fëmijës”.
Kjo ka sjellë një ngatërresë të ndërlikuar ligjesh kombëtare, ku prindërit e ardhshëm rrezikojnë të përndiqen penalisht dhe foshnjat të mbeten pa prindër dhe pa shtetësi.
Kufizime të tilla po shtyjnë edhe që surrogacia të praktikohet në mënyrë të fshehtë, ose në vende ku nuk ka fare ligje rregullatore, apo të bjerë në duart e kriminelëve dhe trafikantëve të qenieve njerëzore, ku ka shumë më tepër gjasa që nënat surrogate të shfrytëzohen dhe të abuzohen.
Megjithëse surrogacia daton të paktën që në kohërat biblike (libri i Zanafillës tregon historinë e Abrahamit që la shtatzënë shërbëtoren e gruas së tij, Hagarin, që kjo të lindte një fëmijë për çiftin), vetëm në mesin e viteve 1980, metoda IVF lejoi surrogacinë “gjestacionale”, ku një grua mund të ishte shtatzënë me një fëmijë që nuk kishte lidhje gjenetike me të.
Përpara kësaj, çiftet pa fëmijë që dëshironin familje, në përgjithësi nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të kërkonin birësim. Megjithatë, kërkesa ka tejkaluar prej kohësh ofertën.
Sipas një studimi të botuar në vitin 2006, kishte rreth 1 milion prindër në Amerikë që donin të birësonin një fëmijë, por vetëm 51,000 fëmijë u besoheshin agjencive çdo vit për birësim.
Për shumë veta, përgjigjja ishte të kërkonin jashtë vendit. Në vitin 2004, birësimet ndërkombëtare arritën në 45,000, kryesisht nga vende të varfra ose të shkatërruara nga lufta.
Megjithatë, një sërë skandalesh me trafikimin e fëmijëve, rrëmbimin dhe rritjen e foshnjave nxitën rregullore më të rrepta dhe/ose ndalime të plota, si ai që u vendos nga Kina vitin e kaluar.
Për rrjedhojë, birësimet ndërkufitare janë fundosur. Në vitin 2022, kishte vetëm 3700 të tilla në mbarë botën, duke lënë me qindra mijë fëmijë në jetimore (shih grafikun). Kjo është një rënie që nuk do të ndryshojë, thotë Peter Selman, profesor në Universitetin Newcastle dhe ekspert në këtë fushë.
Birësimet kanë rënë gjatë dekadave të fundit në disa shtete të pasura, pjesërisht për shkak të vendosjes së rregullave tepër të rrepta për prindërit. Për shembull, në disa pjesë të Britanisë, autoritetet lokale këmbëngulin se çdo fëmijë duhet të ketë dhomën e vet të gjumit.
Për më tepër, koha që kalojnë fëmijët në përkujdesje përpara se të dërgohen në një familje, ka shkuar nga muaj në vite, duke i lënë shumë fëmijë të traumatizuar. Muhamedi dhe partneri i tij shqetësoheshin nëse mund t’u jepnin mbështetjen e duhur fëmijëve të tillë.
Dëshira për fëmijë
Megjithëse adoptimi në vendet e pasura ka rënë, kërkesa për surrogaci është rritur. Ajo është nxitur edhe nga rritja e infertilitetit, rritja e numrit të beqarëve dhe çifteve homoseksuale që zgjedhin të kenë fëmijë dhe përhapja e informacionit në internet.
Në Britani, numri i lindjeve surrogate të njohura nga gjykatat u rrit pothuajse katërfish gjatë një dekade, duke arritur në 449 në vitin 2022, nga 117 në vitin 2011. Surrogacia po bëhet gjithnjë e më e përhapur në glob.
Në Amerikë, ku disa shtete lejojnë që gratë të paguhen për të mbajtur një fëmijë (e njohur si surrogaci komerciale), pothuajse një e treta e shtatzënive të tilla janë për prindër të huaj.
Shumë prej tyre vijnë nga vende si Kina apo Franca, ku ndalohen të gjitha format e surrogacisë. Të tjerë vijnë nga vende si Britania, ku lejohet vetëm surrogacia “altruiste”, pra nënat mund të paguhen jo më shumë se shpenzimet e tyre të arsyeshme shtesë.
Ashtu si në rastin e Nico-s, rreth gjysma e lindjeve surrogate për prindër britanikë ka ndodhur jashtë shtetit në vitet e fundit.
Nuk ka statistika të besueshme për mbarë botën. Sam Everingham, i cili themeloi organizatën jofitimprurëse Growing Families në Australi, që i ndihmon njerëzit me procedurat e surrogacisë në botë, vlerëson se rreth 30,000 foshnja në vit lindin nga surrogacia ndërkombëtare.
Vlerësime të tjera janë më të larta. Firma e të dhënave Global Market Insights llogarit se ky treg kishte një vlerë më shumë se 14 miliardë dollarësh në vitin 2022 dhe parashikon se vlera e tij do të rritet në 129 miliardë dollarë në vitin 2032.
Problemet ligjore e morale
Kjo rritje e shpejtë po nxjerr në pah probleme ligjore dhe morale që janë të ngjashme me ato që rrënuan, dhe më pas shkatërruan adoptimin ndërkombëtar: potencialin për abuzim kur kërkesa e lartë në vendet e pasura takon ofertën në vendet më të varfra dhe pa ligje rregullatore.
Po lindin pyetje nëse është etike të paguash për fëmijë dhe se si surrogacia, qoftë komerciale apo altruiste, ndikon në autonominë e trupave të grave dhe identitetin dhe mirëqenien e fëmijëve që ato lindin.
Disa politikanë, si kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, e kundërshtojnë prerazi idenë që një grua të mbartë një fëmijë për dikë tjetër, në çdo rrethanë. “Jeta e njeriut është e paçmuar dhe nuk është një mall”, shkroi ajo në Twitter pasi Italia e shpalli surrogacinë një krim të përbotshëm.
Kritikët gjithashtu argumentojnë se surrogacia dëmton nënat dhe fëmijët. Një studim zbuloi se nënat surrogate kanë më shumë gjasa të përjetojnë ndërlikime të shtatzënisë sesa nënat që përdorin procedurën IVF ose që mbesin shtatzënë në mënyrë natyrale.
Ato gjithashtu kanë më shumë gjasa të lindin para kohe. “Ne nuk mund të shkelim mbi të drejtat e fëmijëve dhe grave… për dëshirat e disa çifteve për të pasur fëmijë”, thotë Olivia Maurel, e cila ka lindur në Amerikë përmes një nëne surrogate, por tani bën fushatë kundër saj.
Megjithatë, një grup më i gjerë kërkimor, duke përfshirë një shqyrtim sistematik të 47 studimeve në 12 shtete, nuk e mbështet pretendimin se surrogacia ka një efekt negativ te gratë, sipas një punimi të botuar në vitin 2024 në revistën kërkimore mjekësore britanike BMJ.
Në fakt, provat tregojnë se shumica e nënave surrogate në shtete si Amerika, ku kjo praktikë është e rregulluar mirë, patën një përvojë shpërblyese.
Për më tepër, ndalimet e përgjithshme zakonisht thjesht e shtyjnë surrogacinë në vende ku nuk ka rregullore dhe kështu që lind një potencial më i madh për abuzim. “Është e kotë të shpresosh që kjo praktikë do të largohet”, thotë avokatja britanike Natalie Gamble.
Një pyetje është nëse është joetike apo shfrytëzuese të paguash nëna surrogate. Një numër shtetesh të tjera përveç Britanisë, lejojnë vetëm surrogacinë altruiste. Këto përfshijnë Kanadanë, Danimarkën dhe Zelandën e Re.
Marrëveshje të tilla sfidojnë idenë se të gjitha nënat surrogate janë gra të varfra dhe të paarsimuara, të shfrytëzuara për para, thotë Sarah Jones, shefe e organizatës jofitimprurëse Surrogacy UK. Zonja Jones vetë ka qenë pesë herë një nënë surrogate.
Por pak gra janë aq altruiste sa ajo, dhe kjo është një arsye pse gjysma e foshnjave surrogate për prindër britanikë, lindin jashtë shtetit.
Amerika, Meksika, Kolumbia dhe Gjeorgjia janë ndër vendet ku po lulëzon industria komerciale e surrogacisë. Në Amerikë, ku rregullat vendosen nga çdo shtet, ky është një biznes shumë profesional që mbron nënat dhe prindërit.
Kalifornia, një shtet liberal shumë miqësor ndaj surrogacisë, i cakton prindërit e ardhshëm si prindër ligjorë që përpara lindjes së fëmijës.
Kjo e ka bërë Kaliforninë një vend popullor, por edhe të shtrenjtë, me kosto deri në 200,000 dollarë. Është rritur kërkesa për vende që mundësojnë çmime më të lira, dhe që shpesh nuk kanë shumë ligje rregullatore, si Meksika dhe Kolumbia, me kosto përkatësisht rreth 90,000 dhe 65,000 dollarë.
Gara deri në fund
Sidoqoftë, kjo mund të çojë drejt tregjeve më të parregulluara dhe të fshehta.
“Kur një vend ‘i ri’ bëhet popullor, ai shpesh mund të mbingarkohet nga kërkesa, duke çuar në kohë më të gjata pritjeje dhe duke rritur kostot, që do të thotë se më pas do të dalë një tjetër vend popullor për surrogacinë”, vëren Kirsty Horsey, profesoreshë në Universitetin Kent.
Alejandra Vera, avokate dhe drejtore e një OJQ-je për të drejtat e grave në Cúcuta, Kolumbi, thotë se nënat surrogate ndonjëherë janë gra të pambrojtura që trafikohen përtej kufirit nga Venezuela.
Atje, surrogacia kushton rreth 65,000 dollarë, por vetëm një pjesë e kësaj i paguhet nënës surrogate. Pjesa tjetër shkon për agjencitë, avokatët dhe ndërmjetësit. Kontratat mund ta detyrojnë gruan të heqë dorë nga e drejta për t’i dhënë fund shtatzënisë.
Klinikat e maternitetit shpërndajnë fletushka që reklamojnë shërbimin. “Ato e dinë se do t’i vijnë gra të dëshpëruara”, thotë ajo.
Shtetet afrikane si Nigeria, Uganda dhe Kenia po bëhen gjithashtu qendra të njohura surrogate, duke qenë se nuk kanë asnjë rregullore, popullsia e re është e varfër dhe klinikat e fertilitetit ndodhen gjithandej.
Olaronke Thaddeus, themeluesja e Meet Surrogate Mothers, një klinikë në Lagos, Nigeri, thotë se kur u hap në vitin 2013, aty vinte nga një çift në vit.
Tani, klinika mirëpret 200-300 çifte në vit që dëshirojnë të bëhen prindër, shumica e të cilëve vijnë nga Amerika, Britania, Kanadaja dhe Europa kontinentale.
Ajo nuk pranon të tregojë se sa tarifon për shërbimin ose sa i paguan nënat surrogate, duke këmbëngulur se shërbimi i saj është “i paçmuar”. Klinika e ruan rreptësisht surrogacinë, në mënyrë që prindërit e ardhshëm të mos e takojnë kurrë nënën surrogate, madje as në lindje.
Disa argumentojnë se mënyra e vetme për të parandaluar abuzimet është përmes një traktati ndërkombëtar, sipas Konventës së Hagës të vitit 1993, e cila rregullonte birësimet ndërkombëtare.
Bërja e surrogacisë të ligjshme, të sigurt dhe me pagesë, mund të rrisë përfitimet që ajo sjell dhe të ulë rrezikun për të shkaktuar dëm. Kjo duket një ide e shkëlqyer.
Përpilimi i një konvente për këtë çështje nga një grup ndërqeveritar, ka ngecur: vendet janë ende shumë të ndara në lidhje me pyetjen nëse surrogacia duhet të bëhet e ligjshme apo të shpallet e jashtëligjshme./Monitor/E.S