Partitë e reja kanë disa muaj që artikulojnë mundësinë që Shqipëria mund të kalojë në zgjedhje të parakohshme pas 11 majit. Sipas tyre, asnjë parti politike nuk do të fitojë dot shumicën qeverisëse dhe kjo do të krijojë kushtet për formimin e një qeverie teknike.
Çfarë është qeveria teknike? – Me fjalë të thjeshta, qeveria teknike është një grup njerëzish neutralë, pa parti, të cilët marrin drejtimin e ministrive përkatëse për 6 muaj apo një vit. Ata mund të jenë pedagogë, gazetarë, inxhinierë, mjekë, etj., të cilët nuk janë pjesë e partive politike dhe në publik konsiderohen si personalitete të shquara dhe me kontribut në shoqëri.
A ka gjasa të ndodhë? – 95% jo, sepse Partia Socialiste është e pozicionuar shumë mirë në sondazhe. Edhe pse ka 12 vite në pushtet, Edi Rama duket se ka shtuar disa pikë në përqindje. Kjo, sepse PD dhe PL kanë pësuar rënie të dukshme në dy vitet e fundit. Përplasjet e vazhdueshme të demokratëve brenda shtëpisë dhe arrestimi i Ilir Metës e kanë sfumuar shumë opozitën parlamentare. Ndërkohë, partitë e reja po “gërryejnë” vota nga elektorati blu, por edhe po “kafshojnë” njëra-tjetrën. Kjo panoramë ka vetëm një përfitues, Ramën. PS garon e vetme, kurse opozita është e parcelizuar në 10 subjekte zgjedhore. Sipas sistemit aktual zgjedhor shqiptar, fatlumi i kësaj historie mbetet vetëm Rama.
Po nëse ndodh? – Nëse ndodh, zgjedhjet e parakohshme (të dyta, pas zgjedhjeve të 11 majit) mund të sjellin një “aksident” politik në Shqipëri. Rama nuk do të ishte kryeministër gjatë fushatës së dytë dhe administrata nuk do të ishte faktor elektoral. Ky skenar mund të rritë partitë e reja, duke sjellë një ndryshim radikal në parlamentin e ri shqiptar. Gjithsesi, mbetet thjesht ëndërr e të vegjëlve për një periudhë më të largët. m.p.