Harta zgjedhore është skuqur dhe ka kaluar edhe pritshmëritë e PS në disa qarqe. Kryeministri Edi Rama i afrohet kufirit 83-84 mandate. PD mbetet mes 49-51 mandateve, duke njohur rezultat katastrofik. Tom Doshi i PSD-së renditet në vendin e tretë me 3 mandate, ndërsa të zhgënjyera kanë dalë edhe partitë e reja, të cilat mund të mbesin vetëm me nga një mandat në Tiranë.
Partia Socialiste duket se po i afrohet me ritëm të shpejtë objektivit të shpallur nga Edi Rama në Memorandumin e Kuçit, ku ai parashikoi se do të siguronte nga 78 deri në 88 mandate. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 11 majit e pozicionojnë PS-në në një epërsi bindëse në të gjithë vendin dhe e çojnë drejt një shumice që shkon përtej nevojave minimale për të krijuar qeverinë. Me trendin aktual, PS jo vetëm që nuk do të ketë nevojë për aleatë për të formuar kabinetin, por do të jetë në gjendje të miratojë e vetme edhe ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend. Deri më tani janë numëruar mbi 2400 nga 5225 Qendra Votimi në rang kombëtar. PS ka marrë rreth 290 mijë vota ose 52.5 përqind të totalit, ndërsa koalicioni PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore renditet i dyti me rreth 190 mijë vota apo 34.4 përqind. Partia Socialdemokrate e Tom Doshit qëndron e treta me 4 përqind, pasuar nga “Nisma – Shqipëria Bëhet” me 3.3 përqind, “Mundësia” e Agron Shehajt me 2.7 përqind, Koalicioni Euroatlantik me 1.1 përqind dhe Djathtas për Zhvillim me 0.4 përqind. Sipas shpërndarjes paraprake të mandateve, Partia Socialiste ka fituar 83 deputetë, ndërsa PD ka 51. PSD ka siguruar 3 mandate, ndërsa Nisma, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë nga një mandat secila. Në këtë konfigurim, socialistët janë vetëm 1-2 mandate larg shumicës së cilësuar që Rama përmendi që në mars si skenarin më të favorshëm. Koalicioni opozitar është rrëzuar akoma më shumë në këtë vit zgjedhor, krahasuar me 2021 kur PD drejtohej nga Lulzim Basha.
Numërimi në qarqe
Në të gjithë qarqet ku numërimi ka avancuar, Partia Socialiste është rritur në vota dhe në mandate.
Në Fier, ku drejtuese politike është Belinda Balluku, PS pritet të dalë fituese absolute me shtim mandatesh, ndryshe nga zgjedhjet e fundit, aty pritet të merren 12-13 mandate. Në Elbasan, me 351 nga 508 QV të numëruara, PS ka siguruar 54,259 vota, që përbëjnë 61.06 përqind të rezultatit të deritanishëm. PD ka marrë vetëm 25,885 vota (29.13 përqind), ndërsa forcat e reja nuk arrijnë të thyejnë as pragun simbolik të 5 përqindëshit. Në qarkun e Lezhës, ku janë numëruar 103 nga 245 QV, PS mban një epërsi të lehtë me 11,846 vota ose 44.9 përqind, përballë PD-së me 11,398 vota ose 43.3 përqind. Kjo mbetet ndër të paktat zona ku gara është ende e hapur dhe vendimtare për mandatin e katërt që pritet të ndahet midis dy partive kryesore. Rezultatet paraprake nga qarku më i madh elektoral, Tirana, tregojnë se Partia Socialiste e Shqipërisë kryeson me 82725 vota, ose 48.6% të totalit të votave të numëruara deri tani, duke siguruar përkohësisht 19 mandate. Në vend të dytë renditet Koalicioni Partia Demokratike – ASHM me 58931 vota (34.6%) dhe 14 mandate. Një rënie drastike duke humbur kështu 3 mandate dhe zbret nga 17 që kishte në 2021 në vetëm 134mandate. Sipas këtyre rezultateve paraprake, mandate në Tiranë kanë siguruar edhe: Partia Socialdemokrate me 3.5% – 1 mandat, Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 3%-1 mandat. Lëvizja Bashkë me 2.8% – 1 mandat. Ndërkohë, bashkia e Vorës është ngjyrosur rozë, me 8082 vota për PS. Kandidati më i votuar i socialistëve është Blendi Gonxhja me 4794 vota personale. Në njësinë numër 10 në Tiranë, PS fiton me 5304 vota, duke u renditur e para me 49.03% të votave. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë e Madhe (PD-ASHM) është renditur i dyti me 3,498 vota, ose 32.34% të votave. Surpriza për socialistët është në Dibër, ku kemi një përmbysje të rezultatit dhe një rritje historike të PS. Partia Socialiste nën udhëheqjen e Edi Ramës ka përmbysur rezultatin dhe sipas rezultateve të deritanishme merr 3 mandate me 57% të votave. PD zbret nga 3 mandate që kishte në 2021, në vetëm 2 mandate. Rritja në gjithë vendin, i ka dhuruar PS 2 mandate plus në qarkun e Elbasanit. Me 61.3% të votave, PS merr 10 mandate nga 8 që kishte në 2021, ndërkohë PD me aleatët zbresin nga 6 mandate në vetëm 4 me 28.1% të votave. Berisha me aleatët zbresin nga 7 mandate në qarkun e Fierit në 4 mandate me 25.2% të votave. PS rritet në Shkodër me 1 mandat dhe shkon nga 3 në 4 me 35.5% të votave. Berisha bie edhe në bastionin e tij, ku sipas rezultateve deri më tani humb një mandat dhe shkon nga 6 në 5 mandate me 40.2% të votave. Sa i takon votës së diasporës, janë numëruar 1660 zarfe nga 194 889 në total. PS ka 42.68% të votave, ndërsa PD 43.95%. Partitë e tjera janë shumë larg mundësisë për përfaqësim. Ndërkohë në bashkinë Finiq të qarkut të Vlorës, ku numërimi është përmbyllur, PS ka dalë forcë e parë me 2,511 vota, përballë PD me 1,166 vota. “Shqipëria Bëhet” ka marrë vetëm 171 vota. Harta në këtë bashki është ngjyrosur plotësisht në rozë. Ndërsa rezultati i mandateve kryesorë po bëhet gjithnjë e më i qartë, vëmendja po kalon tek emrat. Me këtë konfigurim, mbetet surprizë kush nga kandidatët e listës së gjatë do të hyjë në Kuvend, pasi gara e brendshme brenda partive, veçanërisht në PS, pritet të prodhojë surpriza në emrat përfundimtarë të deputetëve. Vota e diasporës priten të jenë në të njëjtën linjë me votat brenda vendit.