“Në këto zgjedhje u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më e madhe vjedhja e korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe vota në krim”.
Kështu u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas mbledhjes urgjente me drejtuesit e fushatës demokrate.
Sipas Berishës, “regjimi që grabiti zgjedhjet, nuk e bëri fshehtas, por publikisht”, shkruan A2.
“Përdori të gjithë potencialin e narkoshtetit, me vendime qeverie. Shpërndau 70 milionë euro si dhuratë për votë 760 mijë pensionistëve, të cilët përbëjnë 48% të votuesve në Shqipëri. Kjo është shkelja publike më e rëndë dhe më e paprecedentë. Ky është megakrim elektoral, blerje e hapur dhe publike e votës”, tha Berisha.
“Cilido që përpiqet të na bindë apo të na kundërshtojë ne se ky nuk është një megakrim elektoral, një blerje e hapur publike e votës, ose është bashkëpunëtor në këto para krimi, paguhet me këto para krimi që paguhet vota, ose pastaj nuk ka ABC-në më elementare të parimeve të zgjedhjeve të barabarta dhe të drejta. Edi Rama nuk u përpoq të fshehë kësaj radhe asgjësimin e kodit zgjedhor dhe krimit elektoral. Ai shpërndau në mes të fushatës 138 licenca për miliona bimë kanabisi. Mos harroni se një bimë kanabisi e ka prodhimin 1 mijë euro. Se si i ndau mafia e drogës bimët për vota, është shumë e thjeshtë. Por një bimë kanabisi është 1 mijë euro produkti. Ai nuk e fshehu, por e bëri publike blerjen e votës kur dy ditë para zgjedhjeve fali më së paku 200 milionë euro gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit”, shtoi Berisha. m.p.