Gara në Qarkun e Tiranës u duk që në fillim se për shpërndarjen e mandateve nuk do të kishte histori. Që prej hapjes së kutive të para, PS ‘u stacionua’ në 19 mandate. ‘Lufta’ e vetme ka qenë Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore dhe Partisë Mundësia për një mandat deputeti, përballje e cila vazhdon kur duhen numëruar edhe disa mijëra vota.
Gara më e madhe në Tiranë po zhvillohet mes kandidatëve brenda forcave politike për një vend si ligjvënës në Kuvendin e ardhshëm.
Në Partinë Demokratike historia tashmë duket e shkruar duke qenë se ka vetëm një mandat të siguruar në listën e hapur. Lufta po bëhet mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit, me deputeten aktuale që ka arritur një diferencë të rëndësishme prej mbi 1000 votash. Nga PD emrat e mëdhenj që janë edhe humbës të mëdhenj janë Ilir Meta, Shpëtim Idrizi, dy aleatët e Berishës që të cilët janë shumë larg justifikimit të mandateve që kanë marrë në listë të mbyllur.
Ndryshe ndodh në kampin socialist. Aty gara është më e fortë. Emra të rëndësishëm si Blendi Gonxhja, ministri i Brendshëm Hoxha apo senatorë si Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj duket se e kanë siguruar një vend në parlament, ndërsa mes kandidatëve burra ka një garë mes Orlando Rakipit dhe Xhemal Qefalisë, pasi ndahen nga disa qindra vota. Përveç Qefalisë që mund t’i mungojë parlamentit të ardhshëm, emri më i rëndësishëm mes socialistëve është Pancdeli Majko, shumë larg me vota.
Për të ruajtur kuotën gjinore, nga 7 deputetët e PS në listë të hapur 2 duhet të jenë nga kandidatet gra. Kjo e ka bërë shumë të fortë garën mes socialisteve. Anila Denaj ka një avantazh të rëndësishëm dhe është në rrugën për ta siguruar mandatin e ligjvënëses, ndërsa vendi i dytë i “rezervuar” për gratë është objektivi i arritshëm i shumë të tjerave.
Kandidatja më e re socialiste, 20-vjeçarja Kejsi Elezi, është vetëm pak vota përpara deputeteve aktuale Blerina Gjylameti dhe Olta Xhaçka, ish ministre e Jashtme dhe e Mbrojtjes. Më shumë mundësi deputetja e shtatë e socialistëve për Tiranën do të vendoset mes këtyre emrave.
Përveç Xhaçkës, që rrezikon janë edhe shumë emra të tjerë që me shumë gjasa nuk do të jenë mes deputetëve të legjislaturës 2025-2029. Ish ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kryetarja e komisionit parlamentar të politikës së jashtme, Mimi Kodheli, nënkryetarja aktuale e Kuvendit Ermonela Felaj apo kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka do t’i mungojnë Kuvendit./e.t