Partia Demokratike dhe opozita si e tërë ka nevojë për një lidership të ri. Sali Berisha është njeriu i cili rrëzoi në humnerë demokratët dhe i dha shansin Edi Ramës të fitojë 83 mandate në zgjedhjet e 11 majit. Nuk ka shqiptar që nuk është i vetëdijshëm për këtë. Emri “Berisha” në fletën e votimit largon (ose tremb) minimalisht 150 mijë shqiptarë, të cilët ndoshta e duan rrotacionin, por jo me Berishën si lider. 400-450 mijë militantët e PD nuk mjaftojnë për sukses në zgjedhjet e ardhshme.
Kush mund të jenë liderët e rinj të opozitës shqiptare? Alternativat nuk mungojnë, por “Fjala.al” po përmend katër emra, të cilët patën sukses më 11 maj dhe kanë simpati popullore për të marrë më shumë përgjegjësi në katër vitet e ardhshme:
Jorida Tabaku – Jetëgjatë në Partinë Demokratike, asnjëherë e përfolur si politikane e korruptuar apo që bashkëpunon me krimin dhe një tiranase tradicionale që rrezaton kulturë. Ajo nuk ka mbajtur qëndrimet tipike berishiste për SPAK-un dhe nuk ka zgjedhur të jetë deputete e përulur, por ka qëndruar deri-diku neutrale. Është prej vitesh një nga figurat më të votuara në PD dhe ka luajtur një rol të madh në angazhimin e demokratëve për çështje si ekonomia dhe integrimi.
Ilir Alimehmeti – Figurë paqësore, përbashkuese dhe me pozitivitet të rrallë në PD. Është një nga emrat më popullorë të viteve të fundit në këtë parti dhe ka realisht pëlqyeshmëri të lartë. Ashtu si Tabaku, ai ka mbajtur qëndrimet e tij personale në raport me drejtësinë, duke mos u përfshirë në vorbullën e deputetëve besnikë të Berishës. Është konstant, me lidhje të drejtpërdrejta me qytetarët e Tiranës, si një djalë i lindur dhe i rritur në kryeqytet.
Agron Shehaj – Pavarësisht largimit nga PD, ai mbetet një politikan i nivelit të lartë i së djathtës shqiptare. Nuk përjashtohet mundësia e një koalicioni në të ardhmen e afërt apo e një rikthimi në strukturat demokrate. Rezultati i “Mundësisë” më 11 maj tregoi se ka forcë dhe ndikim në qarkun Tiranë, ku praktikisht i vetëm fitoi dy mandate. Opozita ka nevojë për stilin e tij ndryshe në politikë. Qetësia dhe sinqeriteti në publik janë dy armët e tij të forta. Sigurisht, pa përjashtuar aspektin ekonomik. Pasuria e tij ndihmon që të jetë i pavarur.
Adriatik Lapaj – I deklaruar publikisht si i djathtë, kryetari i “Shqipëria Bëhet” arriti të renditet si forcë e tretë në rang kombëtar në zgjedhjet e 11 majit. Ai deri-tani ka mbi 60 mijë vota me partinë që drejton dhe ka fituar një mandat në qarkun Tiranë. Lapaj, madje, iu afrua shumë fitores së një mandati tjetër në qarkun Fier. Në 18 muajt e fundit, avokati nga Saranda ka qenë më aktivi në opozitë, sidomos me turin e tij në diasporë, ku gjithashtu u rendit si forcë e tretë. E djathta ka nevojë për të rinj energjikë si Lapaj. m.p.