Në samitin e mbajtur në Tiranë, udhëheqësit më të lartë të Europës u mblodhën për të diskutuar sfidat më të mprehta të kontinentit nga siguria dhe lufta në Ukrainë, te bashkëpunimi ekonomik dhe zgjerimi i BE-së. Shqipëria u vlerësua për mikpritjen tradicionale dhe përparimin drejt integrimit europian, ndërsa Kryeministri Rama solli në vëmendje vlerat e lashta të mikpritjes shqiptare, duke e cilësuar vendin si urë mes Lindjes dhe Perëndimit.
Kryeqyteti shqiptar u shndërrua për një ditë në epiqendrën e diplomacisë europiane, duke pritur Samitin e Komunitetit Politik Europian. Në një atmosferë ku mikpritja shqiptare u shfaq jo vetëm si traditë, por si virtyt kombëtar, udhëheqësit më të lartë të kontinentit u bashkuan për të rishikuar dhe ripërcaktuar drejtimet e sigurisë, ekonomisë dhe integrimit. Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje një prej trashëgimive më të çmuara të kombit shqiptar, kanunin dhe vlerën e mikpritjes që ai përçon. “Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut,” tha ai, duke e lidhur këtë parim të lashtë me aktet heroike të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur mbrojtën hebrenjtë me jetën e tyre. “Është një fjali që flet thellë për ne si komb,” u shpreh Rama. “Ajo qëndron në themelin e asaj që jemi, dhe është arsyeja pse Shqipëria, edhe sot, është një tokë që pret me zemër të hapur çdo mik.” Ai shtoi me një dozë humori se, ndonëse shpesh thuhet se “dreka nuk është falas”, në Shqipëri gjithçka shërbehet me zemër, një sinjal i mikpritjes së ngulitur në ADN-në e kombit. Kryeministri Rama u ndal edhe te rëndësia e ringjalljes së projektit europian, duke cituar ngjarje të aktualitetit si atentati ndaj Donald Trump dhe fjalët e tij mbi planin e Zotit për Amerikën. “E vërteta është se Zoti kishte një plan edhe për Europën. Le t’i japim Europës një mundësi të rishpikë veten,” u shpreh ai, duke bërë thirrje për kurajë, ndërtim dhe shpresë.
Liderat europianë
Në këtë frymë, edhe liderë të tjerë dhanë mesazhe me peshë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan theksoi rëndësinë e dialogut për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë dhe bëri thirrje për ndalim të menjëhershëm të masakrave në Gaza. “Katastrofa humanitare në Gaza është e paprecedentë,” tha ai, duke kërkuar veprime konkrete për armëpushim dhe zgjidhje me dy shtete. Ai përmendi gjithashtu një kapitull të ri shprese në Siri dhe bëri apel për solidaritet europian në rindërtim dhe paqe. Ai u shpreh se Evropa duhet të jetë e bashkuar për të përballur sfidat aktuale globale. “Ne duhet të veprojmë të bashkuar, mbi bazën e bashkëpunimit. Për të tejkaluara krizën e besimit në arenën ndërkombëtare, është e nevojshme të krijohet një arkitekturë e drejtë dhe gjithëpërfshirjes globale, e qeverisjes. Ky transformimi, i cili do bazohet në parimet e pandashmërisë, duhet së pari të nisë në shtëpinë tonë, në kontinentin Evropian. Ka potencial të jashtëzakonshëm për të bashkuar në fusha si industria e mbrojtje, energjia, korridoret e transportet, tregjet digjitale dhe lëndët e mineralet kritik”, tha ai. Ndërkohë, shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, shprehu vlerësime të veçanta për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. “Shqipëria po bën hapa të mëdha. Tani është radha jonë si Bashkim Europian të tregojmë vullnet dhe vizion,” tha ajo, duke nënvizuar se zgjerimi nuk është vetëm çështje gjeopolitike, por një detyrim historik. Një nga momentet që ngjalli më shumë vëmendje ishte edhe praninë e Kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili, një ditë para samitit, zhvilloi një vizitë në Tiranë me synimin për të përforcuar bashkëpunimin kundër emigracionit të paligjshëm. Ndonëse u duk se synonte një marrëveshje të ngjashme me atë mes Shqipërisë dhe Italisë, Rama ishte i qartë në qëndrimin e tij, modeli mund të shërbejë si frymëzim, por jo të zbatohet në Shqipëri në të njëjtën formë për Britaninë. Nga ana tjetër, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni vlerësoi lidershipin e Ramës dhe u ndal te identiteti europian i Shqipërisë. “Shqipëria është pjesë e Europës, jo vetëm për shkak të aspiratave të saj, por sepse kjo është një e vërtetë historike dhe kulturore,” tha ajo. Ajo theksoi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në arkitekturën e ardhshme europiane, duke e përshkruar rajonin si një urë të domosdoshme mes Lindjes dhe Perëndimit. Samiti në Tiranë dëshmoi se Shqipëria jo vetëm që është një vend mikpritës, por edhe një aktor i rëndësishëm në tryezën e madhe të Europës. Në një botë të trazuar, ajo ofroi jo vetëm një vend takimi, por edhe një model frymëzimi, ku trashëgimia, vlerat dhe vizioni bashkëjetojnë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët. I pranishëm në Samitin e Komunitetit Politik në Tiranë, kancelari gjerman Mertz tha se është shumë e rëndësishme që ë gjitha palët të bashkëpunojnë për një Europë më të sigurt. Ai u shpreh se tashmë është e qartë që demokracitë janë në rrezik dhe qeveritë duhet të tregojnë se janë të forta për të zgjidhur kriza si emigracioni për të ofruar siguri. “E kemi treguar mirënjohjen duke i nderuar ata. Duhet të bëjmë çdo përpjekje që amerikanët t’i kemi në anën tonë. Ne përballemi me çështjen e emigracionit dhe Starmer e përmendi. Ne përballemi me kërcënime nga emigracioni dhe po përpiqemi ta zgjidhim. Por gjithçka që po bëjmë është në përputhje me të drejtën. Dua të them që ne po shpenzojmë mjaft para, por tek prokurimet shpenzimet që janë tejet të ndërlikuara nuk mjafton. Ndaj jemi të gatshëm të tregojmë që të kemi prokurime më të mira, efikasitet dhe kjo është thjeshtë në favorin tonë. Ne të gjithë e dimë sistemet tona, demokracitë tona janë në rrezik. Mund të jemi të suksesshëm vetëm bashkë”, tha mes të tjerash ai. Ndërkohë që në Tiranë u zhvilluan bisedimet për Europën, delegacionet Ruse dhe Ukrainase u takuan në Stamboll këtë të premte për të mbajtur bisedimet e paqes, të parat bisedime të drejtëpërdrejta në më shumë se tre vjet. Negociatat të cilat po ndërmjetësohen nga Turqia vijnë pas kërkesave të vazhueshme të Presidentit Amerikan Donald Trump për ti dhënë fund luftës në Europën Lindore, në atë që është kthyer në konfliktin më të ashpër që prej luftës së dytë botërore. Takimi në Pallatin DolmaBahçe në Bosfor konsiderohet një shenjë e përparmit diplomatik mes palëve . Në Stamboll negociatat po drejtohen nga delegacioni Amerikan dhe ai Turk.