Ditën e sotme në Vatikan do të mbahet mesha me të cilën fillon zyrtarisht papnia e Papa Leonit të XIV. Mesha është caktuar të fillojë në orën 10:00.
Në këtë ceremoni do të jenë të pranishëm personalitete fetare dhe politike nga e gjithë bota, për të shënuar nisjen e rrugëtimit të ri të Kishës Katolike nën drejtimin e Papës së sapozgjedhur.
Sot në ceremoninë e përurimit të shenjtë Papnor të Papa LEO XIV marrin pjesë nga Shqipëria një delegacion i lartë shtetëror, i përfaqësuar nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe ministri i Jashtëm Igli Hasani.
Nga Kisha Katolike, do të jetë i pranishëm Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore (KISH) Imzot Gjergj Meta dhe Zëvendëspresidenti i KISH, Imzot Simon Kulli dhe Imzot Arjan Dodaj.
Pjesë e delegacionit nga Kisha Ortodokse do të jenë Hirësi Nikolla, Mitropolit i Apolonisë dhe i Fierit dhe At Ignat Todri.
Nga Komuniteti Mysliman do të jetë i pranishëm Bujar Spahiu dhe Ejup Lila.
Nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane do jetë i pranishëm Kryegjyshi Baba Mondi, si dhe gazetari Ferdinand Samarxhi.
Delegacionet shoqërohen nga Ambasadorja e Shqipërisë në Shtetin e Vatikanit, Znj Majlinda Frangaj.
Liturgjia do të shënojë fillimin zyrtar të shërbesës së tij si pasardhës i detyrës së lartë katolike./E.T